Tiranë – Katër persona janë arrestuar dhe dy të tjerë janë vënë nën hetim pasi ishin të përfshirë në dy raste të shitjes së lëndëve narkotike, të ndarë në doza.
Të rinjtë të identifikuar me inicialet E. K., 21 vjeç, dhe S. Sh., 23 vjeç, u arrestuan në flagrancë teksa kryenin veprimtarinë kriminale në afërsi të një shkollë në rrugën "Ismail Qemali", ndërsa dy të rinj të tjerë të përfshirë po në këtë rast, të identifikuar me inicialet H. P., 21 vjeç, dhe R. D., 20 vjeç, u vunë nën hetim në gjendje të lirë.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në afërsi të një shkolle në rrugën "Ismail Qemali", kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 21 vjeç, dhe S. Sh., 23 vjeç.
Gjithashtu proceduan penalisht shtetasit H. P., 21 vjeç, dhe R. D., 20 vjeç, të gjithë banues në Tiranë”,-njofton policia.
Po ashtu, dy persona të tjerë, të identifikuar me inicialet O. Sh., 30 vjeç, dhe M. H., 27 vjeç, u arrestuan në flagrancë pasi kryenin të njëjtën veprimtari kriminale në zonën e njohur si “Don Bosko”.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në "Don Bosko", kapën dhe arrestuan në flagrancë shtetasit O. Sh., 30 vjeç, dhe M. H., 27 vjeç, të dy banues në Tiranë”,-bëjnë me dije blutë.
Arrestimi dhe procedimi në gjendje të lirë të këtyre personave u bë në kuadër të megaoperacionit mbarëkombëtar antidrogë “Tempulli 2”.
Në lidhje më këtë operacion madhor të shtrirë në kohë të gjatë, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, thekson suksesin e operacioneve policore dhe kërkon që policia të mbajë ritmin e produktivitetit në goditjen ndaj krimit.
“Gjatë 24 orëve të fundit, në Fier dhe në Lushnjë, janë goditur 3 raste të armëmbajtje pa leje, dhe në Tiranë 2 raste të shpërndarjes së lëndëve narkotike. Janë sekuestruar 2 armë zjarri kallashnikovë, armë të ftohta, sasi të mëdhaja municioni luftarak dhe lëndë narkotike.
Pres të tjera rezultate në luftë kundër krimit në përgjithësi dhe kundër krimit të organizuar në veçanti’,- shkruan Balla.