TIRANË - Policia e Shtetit ka arrestuar një shtetas shqiptar, Sinan Kovaçi, i përfshirë në një rrjet kriminal për kontrabandimin e qenieve njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara.

Hetimi, i realizuar më 26 shkurt 2025, u zhvillua në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe autoritetet amerikane, duke zbardhur aktivitetin e këtij rrjeti që ka funksionuar që nga viti 2020.

Të dyshuarit lehtësuan kalimin e shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga Shqipëria për në SHBA, duke përfituar deri në 40 mijë dollarë për person.

'Më datë 26.02.2025, Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Njësisë së Përbashkët Hetimore dhe me bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara prezente në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, ka depërtuar në një rrjet kriminal të akuzuar për kontrabandën e dhjetëra shtetasve shqiptarë nga Evropa në Shtetet e Bashkuara. Ky aktivitet dyshohet se ka nisur në vitin 2020.

Në bazë të një urdhër arresti, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, një nga të dyshuarit, shtetasi S. K., 48 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar.

I arrestuari dhe të dyshuarit e tjerë në hetim, kanë lehtësuar kalimin në mënyrë të paligjshme të shtetasve shqiptarë dhe të shtetasve të huaj, nga brenda Shqipërisë drejt Shteteve të Bashkuara, kundrejt pagesës prej 30-40 mijë dollarë për person.', thotë njoftimi i policisë.

Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e të gjithë aktiviteteve të këtij rrjeti dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë.