TIRANË- Një 32-vjeçar është vënë në prangat e forcave ‘Shqiponja’ pasi u kap me pistoletë pa leje në makinë. Bëhet fjalë për Kristjan Gjinin, i cili është vënë në pranga dhe është përjashtuar nga Garda e Republikës.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan dy aparat telefonikë.

Ai u ndalua në orët e vona të mbrëmjes së kaluar, 8 gusht 2023, si i dyshuar për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”.

"Arrestimi i gardistit u bë gjatë kontrollit të kryer nga punonjësit e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë në automjetin e tij, ku iu gjet një armë zjarri pistoletë pa leje. Gjithashtu gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan dy aparatë telefonikë" informoi sot policia e Tiranës.

Hetimet po vijojnë dhe materialet procedurale u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Ky është gardisti i dytë në pranga brenda pak ditëve pas Martin Nikollës i arrestuar më 30 korrik 2023, pasi u përfshi në një sherr mes dy familjeve dhe qëlloi me armë në ajër. Ngjarja u regjistrua në Hamallaj të Durrësit.