TIRANE – Një grabitje e mbetur në tentativë është rregjistruar mëngjesin e sotëm në në një argjendari në kryeqytet ndërsa shitësja ka mbetur e plagosur me thikë. Autori i ngjarjes ka arritur të largohet kur ka kuptuar se plani i tij tashmë kishte dështuar.

Nga informacionet paraprake mësohet se shitësja nuk ka pranuar t’i dorëzojë atij mallin e çmuar dhe as sasinë e parave që kishte në arkë. Përkundrazi ajo ka shtypur menjëherë butonin e alarmit dhe brenda pak minutave forcat e sigurisë dhe ato të policsë kanë mbërritur në vendngjarje.

Ndërkohë, gjatë përleshjes me autorin e grabitjes mësohet se shitësja, e moshës 25-30 vjeç, ka mbetur e plagosur nga një goditje me thikë. Ajo është dërguar në Spitalin Ushtarak ku gjendet në repartin e Reanimacionit.

Bëhet e ditur se argjendaria që ishte kthyer në objekt sulmi ndodhet në Rrugën e Durrësit në Tiranë, shumë pranë Ministrisë së Arsimit.

Policia pasi ka mbërritur në vendngjarje ka nisur menjëherë hetimet për të zbardhur ngjarjen dhe arrestuar autorin ndërkohë që bëhet e ditur se informacionet e para ka arritur t’i grumbullojë nga vetë goja e shitëses së plagosur.

(im/shqiptarja.com)