TIRANË- Tre persona janë arrestuar mesditën e sotme pasi shpërndanin kokainë në lokalet e natës në kryeqytet. Gazetarja e Report Tv, Xhensila Kodra bën të ditur se në pranga kanë rënë Elvis Fejzullai, Mariglen Ismaili dhe Genti Xhabeje ndërsa janë sekuestruar doza me lëndë narkotike të dyshuar Kokainë dhe 3.7 kg pluhur i dyshuar përzierës për Kokainën.
Hetimi ka zgjatur prej disa muaj pasi dyshimet paraprake ishin se bëhej fjalë për një grup të strukturuar kriminal. Uniformat blu bëjnë të ditur se gjithashtu janë sekuestruar edhe prova të tjera ligjore që do shërbejnë për dokumentimin e kësaj veprimtarie kriminale të shpërndarjes së drogave të forta.
Tre të rinjtë u arrestuan në katin e parë të një pallati në rrugën “Budi” ku e tregtonin, por edhe konsumonin kokainën. Mbi të arrestuarit rëndon akuza për veprat penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e kryer në bashkëpunim.