Goditet rrjeti i prostitucionit në Tiranë, pranga tutores kineze! Vajzat nga Kina e Filipine i 'reklamonin' në 'Escort Tirana', i dhunonin dhe u zhvasnin deri në 15 mijë € që t'i linin të lira

Goditet rrjeti i prostitucionit në Tiranë, pranga tutores kineze! Vajzat nga Kina e Filipine i 'reklamonin' në 'Escort Tirana', i dhunonin dhe u zhvasnin deri në 15 mijë € që t'i linin të lira

Foto ilustruese

TIRANË- Një tjetër rrjet prostitucioni është goditur në Tiranë, ndërsa në pranga ka rënë tutorja kineze Yhong Yang, 52 vjeçe. Nga Kina, ajo me mikeshën e saj ishin vendosur Tiranë për të ushtruar veprimtarinë e paligjshme të prostitucionit duke shfrytëzuar vajza të huaja, të cilat i rekrutonin kryesisht nga Kina dhe Filipinet. Bashkëpunëtorja e saj është shpallur në kërkim, ndërsa 7 vajza nga Filipinet që shfrytëzoheshin për prostitucion janë vënë në hetim.

Të gjitha vajzat reklamoheshin në një faqe interneti me emrin ‘Escort Tirana’. Baza kryesore e rrjetit të prostitucionit ishte në një apartament në rrugën ‘Haxhi Dalliu’, pranë Prokurorisë së Tiranës. Kinezja arrinte të rekrutonte vajza të reja nga Kina dhe nga Filipinet, të cilat i priste në Rinas dhe më pas i dërgonte në ambientin e marrë me qira në afërsi të Prokurorisë së Tiranës. Këtu realizoheshin fotot erotike të vajzave dhe reklamoheshin me pas në faqen "Escort Tirana". Çmimi për shërbimet seksuale nga vajzat varionte nga 150 deri në 300 euro dhe prostitucioni ushtrohej nëpër apartamente 'Airbnb', në zona të ndryshme të Tiranës. 

Vajzave të huaja u duhej vizë pune për të ardhur në Shqipëri dhe leje qëndrimi nga Policia Kufitare. Sektori për Hetimin e Trafiqeve po heton nëse dokumentacioni bëhej nëpërmjet vizave të rregullta pune apo përmes dokumenteve false. Por, pasi kinezja Yang u siguronte qëndrimin në vendin tonë dhe i përfshinte në rrjetin e prostitucionit, duket se e kishin shumë të vështirë për t’u larguar.

Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy kinezet, me anë të fotove të publikuara në faqen "Escort Tirana", ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave me qëllim që ato të mos largoheshin. Në një rast, Policia e Tiranës thotë se bashkëpunëtorja e kinezes, N.D. 38 vjeçe,  i ka marrë njërës prej vajzave 15 mijë euro, duke e kanosur dhe bërë presion me anë të fotove erotike, pasi ajo kishte kërkuar të heqë dorë nga ky aktivitet kriminal.

"Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se dy autoret e dyshuara, nëpërmjet rrjeteve sociale rekrutonin shtetase kineze dhe filipineze, të cilat i akomodonin në një ambient të marrë me qira të përshtatur për shfrytëzim prostitucioni dhe më pas duke përdorur faqen "Escort Tirana" i shfrytëzonin për prostitucion. Në momentin që vajzat e rekrutuara kërkonin të tërhiqeshin nga ky aktivitet kriminal, dy autoret e dyshuara me anë të fotove të publikuara në faqen "Escort Tirana", ushtronin dhunë ndaj tyre dhe presion ndaj familjarëve të vajzave të rekturuara.

Gjatë veprimeve hetimore ka rezultuar se shtetasja N. D., me anë të shtrëngimit me anë të kanosjes, duke i bërë presion me anë të fotografive, ka marrë shumën 15 000 euro, nga njëra nga vajzat e shfrytëzuara, pasi kjo e fundit ka kërkuar të heqë dorë nga ky aktivitet kriminal", njoftoi Policia e Tiranës më 22 gusht. 

Policia ka sekuestruar 4500 euro të përfituara nga ky aktivitet kriminal, 1 laptop, 3 aparate celulare, 2 pasaporta, dhe 3 fletore me shënime. Ndaj dy kinezeve janë ngritur akuzat "Shfrytëzimi prostitucioni", "Mbajtja e lokaleve për prostitucion", dhe "Dëmtime te tjera me dashje". Ndërkohë ndaj 38-vjeçares rëndon edhe akuza "Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë", pasi ka kanosur një prej vajzave dhe i ka marrë 15 mijë euro.

Kjo është hera e dytë që rrjeti ‘Escort Tirana’ është goditur brenda vitit 2024. Në 26 qershor ra në pranga për shfrytëzim prostitucioni po nga ky rrjet Tritan Guni, 29 vjeç, dhe u shpall në kërkim e motra e tij Bukurije Guni, 36 vjeçe. Të dy shfrytëzonin vajza të huaja për prostitucion dhe i reklamonin në faqen ‘Escort Tirana’.

1724315188_sekuestrimenetirane.jpg

Eurot, telefonë dhe laptop i sekuestruar

SI.E./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Ngjarjet e fundit në vend ju shqetësojnë për nivelin e sigurisë?



×

Lajmi i fundit

Ambasada e SHBA në Ukrainë: Sulme të mundshme ruse në Ditën e Pavarësisë

Ambasada e SHBA në Ukrainë: Sulme të mundshme ruse në Ditën e Pavarësisë