TIRANE – Të paktën 5 milionë lekë të vjetra grabitën dje paradite 2 të rinj në Tiranë, kur me kokore motorri në kokë, veshur me të zeza si ninxha dhe me kallash në dorë, mësynë në një argjendari. Ngjarja ndodhi në orën 09:45, pranë ish-ekspozitës “Shqipëria sot”, afër Gjykatës së Tiranës, kur 2 të rinj, përgjatë 2 minutave grabitën flori me vlerë 5 milionë lekë të vjetra, për t’u larguar më pas me sendet e çmuara që kishin marrë. Zyrtarisht, Policia e Tiranës tha se “Në afërsi të pallateve Agimi në Tiranë është vjedhur nën kërcimin e armës nga dy persona, një argjendari në pronësi të shtetasit A.F, ku autorët të veshur me të zeza, kanë mundur të vjedhin disa bizhuteri”.

“Ninxhat”, grabitje në 2 minuta
Burime të mirëiformuara pranë Policisë së Tiranës thanë për gazetën “Shqiptarja.com” se gjithçka ndodhi në 2 minuta. Nisur nga dëshmitë dhe nga regjistrimet filmike të një biznesi aty pranë, mësohet se 2 të rinjtë e lanë përballë argjendarisë motorrin sportiv, të modelit të shtrirë, pa i hequr kokoret (skafandrrat) që ngjanin si të policisë rrugore. Mbanin rroba të zeza që u përngjasonte modeleve të ninxhave, personazhit të filmave. Njëri mbante në dorë një çantë, ku kishin fshehur armën e zjarrit tip kallashnikov.

Më tej, njëri nga hajdutët iu drejtua pronarit me fjalët “futi lekët në çontë” dhe pikërisht fjala e fundit i ka bërë ekspertët e seksionit të krimeve kundër pronës që të dyshojnë se ai mund të jetë i zonës, pra banor në njësinë bashkiake nr 5, nisur edhe nga disa informacione paraprake rreth të rinjve me precedentë penalë në fushën e grabitjeve. Meqë në arkë nuk kishte lekë, hajdutët nisën të rrëmbenin disa sende të çmuara floriri si varëse apo unaza dhe i futën në çantë.

Pa i hequr kokoret ata hipën menjëherë në motorr dhe duke kaluar përgjatë bulevardit, për pak metra, humbën pas pallatit. Deri në orët e vonë të mbrëmjes së djeshme, Policia e Tiranës kishte shoqëruar rreth 15 persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen, ndërsa po analizohen pamjet filmike të biznesit aty pranë. Të tjerë shitës në bizneset përreth si dhe dëshmitarë në lokalet rrotull, thanë për “Shqiptarja.com” se u kishte bërë përshtypje fakti që 2 të rinjtë nuk i hoqën kokoret para se të hynin në argjendari, por gjithçka ndodhi aq shpejt saqë askush nuk mundi të reagonte.

Njoftimi zyrtar i Policisë së Tiranës mbaron me frazën “Krimet e Rënda në Tiranë dhe Prokuroria po punojnë intensivisht për identifikimin e autorëve dhe kapjen e tyre.” 

grabitje argjendarie


Shkrimi u publikua sot (23.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)