TIRANË - Keqmenaxhimi i fondeve, abuzimi me cilësinë e punëve publike dhe mungesa e përgjegjësisë përballë qytetarëve nga ana e Bashkisë së Tiranës janë denoncuar edhe një herë sot nga Këshilltarët e Majtë në Këshillin Bashkiak të Tiranës. Shkak janë bërë punimet e kryera nga bashkia në rrugën “Thanas Ziko” që ndodhet në njësinë Bashkiake numër 8 në Tiranë.

Kjo rrugë, e cila është shtruar vetëm një javë më parë, aktualisht është në gjendje të mjerueshme. Qytetarët e kësaj zone shprehen shumë të shqetësuar për këtë fakt.

Ndërsa këshilltari socialist në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Gent Gazheli shprehet se ata i kanë denoncuar raste të tilla të abuzimit me fondet publike nga ana e bashkisë dhe do vijojnë ta bëjnë një gjë të tillë.

Rruga “Thanas Ziko” në Tiranë vijon të jetë në gjendje të mjerueshme vetëm një javë pas inaugurimit të saj.

(s.ç-su.fu/Shqiptarja.com)