TIRANË- Një 59-vjeçar është vënë në hetim dhe djali i tij është shpallur në kërkim nga policia pasi kontrabandonin nga Turqia, veshje të ndryshme, i stamponin logo false të markave të njohura dhe i shitnin me çmime shumë të larta.
Sipas policisë është vënë në hetim V. A., 59 vjeç, banues në Tiranë, si dhe po punohet për kapjen e djalit të tij, shtetasit D. A., 29 vjeç.
Nga hetimet ka rezultuar se babë e bir magazinonin në banesën e tyre dhe në dy dyqane në rrugën "5 Maji", mallra (veshje) të dyshuara të kontrabanduara nga Turqia, të cilave i vendosnin logo dhe etiketa të markave të njohura, me qëllim për t’i shitur me çmime shumë të larta.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan rreth 1000 konfeksione të ndryshme, logo dhe etiketa false të disa markave, si dhe një pajisje për stampimin e tyre.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.