Gjurmët e një shtëpie bari në Tiranë, u zbuluan nga ish-deputeti Halit Valteri. Tashmë me detyrë të re në zyrën e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, Valteri shkoi të shohë nga afër një nga magazinat e agjencisë në rrugën Hamdi Pepa” në zonën e Selitës në Tiranë.

Ish-deputeti vuri re se mbi ambientet e magazinës së ASHK-së, në katin e dytë kishte objekte të dyshimta, për të cilat njoftoi me telefonatë ministrin e Brendshëm Ervin Hoxha. Agjentët e Komisariatit numër 2 në kryeqytet u vunë menjëherë në lëvizje dhe pak pas mesnatë ndërhynë. Brenda katit të dytë, i cili është i privatizuar në pronësi të 3 personave, blutë gjetën dhe sekuestruan 105 rrënjë kanabis, të mbjella nëpër vazo, bashkë me pajisjet e nevojshme për rritjen e drogës në ambiente të mbyllura.

Deri tani janë shoqëruar 6 persona që mund të ndihmojnë hetuesit të zbardhin rrethanat e kultivimit dhe rolet e secilit, ndërsa në vijim priten urdhër-arreste. Po ashtu, policia po verifikon nëse ka pasur lidhje të paligjshme të energjisë elektrike dhe mundësinë e përfshirjes së punonjësve të OSSHE në shpërdorim detyre.

Për tu futur në shtëpinë e barit, autorët e mbjelljes së kanabisit, kanë përdorur një derë në pjesën e pasme, duke shmangur lëvizjet në derën kryesore, e cila ishte e përbashkët me pronarët e katit të parë, të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës.

Pjesë e hetimit administrativ mësohet se është bërë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, mbi dyshimet se efektivë të policisë mund të kenë pasur dijeni, veçanërisht specialistët që mbulojnë zonën.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:27
Magazinën e kthyen në ‘shtëpi bari’, 6 të shoqëruar në polici! Kultivuesit përdornin hyrjen nga pas godinës

1728546672_tirane.JPG

Detaje të reja kanë dal në dritë nga magazina, e cila ishte kthyer në një shtëpi bari për kultivimin e kanabisit, zonën e Selitës në Tiranë.

Gazetari i Report Tv Sokol Dema, bënë me dije se u gjetën të kultivuara në vazo plastike, 105 bimë të dyshuara narkotike Cannabis Sativa, ndërsa 6 persona janë të shoqëruar.

Ndërkohë, personat të cilët merreshin me kultivimin e kanabisit, përdornin hyrjen që ishte nga pas godinës për të mos rënë në sy.

 

Ora 09:49
U zbulua 'shtëpi bari' në Selitë, policia shoqëron 6 persona

1728546652_tirane.JPG

6 persona janë shoqëruar në polici ditën e sotme, pasi policia zbuloi një magazinë ku kultivohej kanabis në zonën e Selitës në Tiranë.

Sipas informacioneve të Report Tv, magazina është shtetërore, ku kati i parë është në përdorim të ASHK. Ndërsa kati i dytë përdorej prej një kohe të gjatë për kultivimin e drogës.

Ora 09:14
U zbulua 'shtëpi bari' në Tiranë, ja magazina ku u gjet kanabisi në zonën e Selitës (Video)

 

Policia ka zbuluar një magazinë ku kultivohej kanabis ditën e sotme në zonën e Selitës në Tiranë.

Report Tv ka siguruar pamjet nga magazina ku u gjet kanabisi.