Një ngjarje e rëndë kriminale është parandaluar mbrëmjen e 24 gushtit në zonën e Don Boskos, në Tiranë, pas një konflikti mes disa personave në ambientet e një lokali. Rreth orës 21:45, shërbimet e Policisë janë njoftuar për një konflikt në rrugën “Eshref Frashëri”.

Pas marrjes së njoftimit, efektivët e Komisariatit të Policisë Nr. 3, me Forcat “Shqiponja”, kanë ndërhyrë në vendngjarje, në ambientet e lokalit “Omerta”. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj Indrit Kallarit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruar një armë zjarri pistoletë, tip “TT”.

Sipas dyshimeve të policisë, me këtë armë Kallari ka goditur në pjesën e ballit Arben Merkajn, duke përdorur qytën e pistoletës. Indrit Kallari është arrestuar në flagrancë dhe ndaj tij janë ngritur akuzat për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve” dhe “Plagosja e rëndë”.

Ndërkohë Arben Merkaj do të hetohet në gjendje të lirë për “Moskallëzimi i krimit”, pasi nuk ka kallëzuar rrethanat në të cilat ka ndodhur konflikti dhe plagosja. Policia ka sekuestruar edhe pajisjen DVR të lokalit “Omerta”, pamjet e së cilës pritet të ndihmojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Njoftimi i policisë:

Menjëherë pas njoftimit për një konflikt në rrugën “Eshref Frashëri”, ndërmjet 2 shtetasve, rreth orës 21:45 të datës 24.08.2026, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, organizuan punën dhe shkuan në vendngjarje, për të sqaruar rrethanat dhe përgjegjësitë në lidhje me këtë rast.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale u neutralizua konflikti, si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi I. K., 37 vjeç, banues në Krujë, i cili dyshohet se për motive të dobëta, ka goditur me qytën e armës së zjarrit (pistoletë) që mbante pa leje, shtetasin A. M., 47 vjeç, banues në Laprakë.

Në vijim të këtyre veprimeve nisi procedimi në gjendje të lirë për 47-vjeçarin, për veprën penale "Moskallëzimi i krimit".

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

lajm ne perditesim...