Merita Ferracaku, 36-vjeçe ka ndërruar jetë pasi u përplas nga një makinë teksa po kalonte vijat e bardha në lagjen ‘Ali Demi’ në afërsi të shkollës ‘Kushtrimi i Lirisë’ , në drejtim të Shkozës.
Aksidenti i rëndë sipas policisë ka ndodhur rreth orës 23:00 të 14 janarit, por 36-vjeçarja nuk ka mundur që t'u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës.
Në orët e para të mëngjesit të 15 janarit, rreth orës 01:30 minuta është arrestuar 22-vjeçari R.A banues në Tiranës për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor".
Policia thotë se gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit tip "Skoda", që drejtonte R. A., nuk janë konstatuar mangësi, si dhe pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, nuk kishte konsumuar alkool. Policia po vazhdon kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.
‘Në lidhje me një lajm të publikuar në portale, i cili bën fjalë për një aksident të ndodhur në lagjen "Ali Demi", ju informojmë se:
Më datë 15.01.2024, në orën 01:30, është bërë arrestimi i shtetasit R. A., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe materialet i kanë kaluar për veprime të mëtejshme procedurale, Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Ky shtetas, më datë 14.01.2024, rreth orës 23:00, në lagjen "Ali Demi", në afërsi të shkollës "Kushtrimi i Lirisë", (në drejtim të Shkozës), në vendkalimin e këmbësorëve, ka aksidentuar shtetasen M. F., 36 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila si pasojë e aksidentit është dëmtuar dhe është dërguar në spital për ndihmë mjekësore.
Gjatë kontrollit të dokumentacionit të automjetit tip "Skoda", që drejtonte shtetasi R. A., nuk janë konstatuar mangësi, si dhe pas kryerjes së testit të alkoolit ka rezultuar se drejtuesi i automjetit, nuk kishte konsumuar alkool.
Mbrëmjen e sotme, si pasojë e dëmtimeve të marra nga aksidenti, shtetasja M. F., ka ndërruar jetë. Policia po vazhdon kryerjen e veprimeve të mëtejshme procedurale.’- njofton policia.