Tiranë- Një 41-vjeçar i dënuar më parë edhe në Francë për seri plaçkitjesh të banesave dhe bizneseve, është arrestuar nga Policia e Tiranës në një tjetër vepër penale të ngjashme.

Aksioni u krye nga Komisariati i Policisë Nr. 4, i koduar "Rikthimi". Burime zyrtare thanë se i ndaluari është S.H., banues në kryeqytet, ndaj të cilit u ngrit vepra penale e “vjedhjes”.

Nga verifikimet paraprake hetimore rezulton se i dyshuari ka vjedhur një shumë parash dhe steka me cigare në një market, në rrugën "Sitki Çiço" në kryeqytet.

“Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan stekat e vjedhura, një shumë parash si dhe veshje të cilat autori i dyshuar i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes”, njoftoi policia për rastin.

Ekspertët po bëjnë verifikime për krahasim gjurmësh daktiloskopike, nëse 41-vjeçari ka kryer krime të ngjashme brenda dhe jashtë vendit gjatë kësaj kohe.