Tiranë- Kanosën një 36-vjeçar që t’u jepte 20 mijë euro për të mos i publikuar foto dhe filmime me përmbajtje intime, identifikohen dhe arrestohen 3 persona të dyshuar.
Të arrestuarit janë dy djemtë Sindrit Spata, Arsid Moriqi dhe vajza Moisola Shega, si bashkëpunëtore e tyre. Spata ishte arrestuar që prej datës 24 Tetor të këtij viti, gjatë dorëzimit të parave.
Policia e Tiranës njoftoi sot (6 Dhjetor) se ka finalizuar operacionin me metoda proaktive dhe dorëzim të kontrolluar, nga Sektori për Hetimin e Krimeve ndaj Pasurisë, në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve të Rënda, në Departamentin e Policisë Kriminale, i koduar “Shtrëngimi”.
“Në kuadër të operacionit “Shtrëngimi” u ekzekutuan urdhrat për ndalimin e shtetasve Arsid Moriqi, 29 vjeç dhe Moisola Shega, 26 vjeçe, si dhe më datë 24.10.2024, u arrestua në flagrancë, duke i marrë paratë 36-vjeçarit, shtetasi Sindrit Spata, 23 vjeç”, njofton policia e kryeqytetit.
Nga hetimet dyshohet se autorët e kanë kanosur 36-vjeçarin që t’iu jepte 20 000 euro, “në mënyrë që ata të mos i publikonin fotografi dhe video me përmbajtje intime”.
Pas prangosjes dhe veprimeve paraprake, materialet i kanë kaluar Prokurorisë së Tiranës për veprën penale “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, e kryer në bashkëpunim.