Mbi 5.2 kilogramë heroinë dhe kokainë janë sekuestruar mesditën e sotme në Tiranë, ndërsa dy persona janë arrestuar teksa po transportonin lëndën narkotike, e cila sipas policisë kishte si destinacion Durrësin.

Në pranga kanë rënë Mirand Herri, 51 vjeç, dhe Luftim Hoxha, 41 vjeç, të dy banues në Maminas të Durrësit. Drejtori i Policisë së Tiranës, Oliger Torba tha në një deklaratë për mediat se kishin siguruar informacion se dy personat do të transportonin një sasi të konsiderueshme droge të fortë në zonën e “Treshit” në drejtim të Durrësit.

Dy të dyshuarit u ndaluan ndërsa udhëtonin me një “Benz” në rrugën “Kastriotët”. Pas ndalimit të automjetit, gjatë kontrollit policia gjeti një çantë, brenda së cilës ndodheshin 7 pako me lëndë narkotike.

Konkretisht, u sekuestruan 4 pako me heroinë, me peshë 2 kilogramë e 123.6 gramë, dhe 3 pako me kokainë, me peshë 3 kilogramë e 120.6 gramë.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë