TIRANË - Në ditën e parë zyrtare të fushatës elektorale shënohet një incident i rëndë. Persona ende të paindentifikuar i kanë vënë flakën banesës dhe biznesit të kryetarit të PS-së në Prezë të Tiranës, Lavdim Kajmaku.

Prek disa kohësh në krye të Partisë Socialiste në komunën Prezë, Lavdim Kajmaku njëkohësisht dhe pronar i firmës së luleve Kaimaku denoncon zjarrvënien në pronën e tij si një akt të qëllimshëm që sipas tij ka lidhje me postin politik që ai mban.

Ngjarja është shënuar rreth orës 03:00 të mëngjesit të sotëm, ku Kajmaku ka marrë një telefonatë nga kunata e tij e cila e ka njoftuar se biznesi dhe shtëpia e tyre po digjej.

Raportohet se janë shkaktuar tetë vatra zjarri. Fatmirësisht ndërhyrja e të afërmve ka mundur të shpëtojë bashkëshorten dhe djalin 12- vjeçar. 

Dëmet materiale janë të mëdha, duke u djegur fasada e zyrave të biznesit të tij dhe banesës, si dhe gjysma e fidanishtes. Përveç tyre edhe një kamion me targën AA513GF është djegur. Zjarrfikëset kanë mbërritur në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shuarjen e flakëve, si dhe shpëtimin e një pjese të biznesit.

Ekspertët janë ende duke punuar pasi pista kryesore mbetet ajo e një zjarrvënie të qëllimshme por ende motive mbetet i pazbardhur.

LAVDI KAJMAKU:ZJARRVENIA  POLITIKE
“Dyshimi im është vetëm politik. Unë jam kryetari i PS të Prezës. Ne s’kemi ndonjë konflikt, ndonjë problem apo ndonjë borxh. Ne kemi rreth 17 vjet që e ushtrojmë këtë biznes dhe s’kemi patur asnjëherë probleme fare. Kjo është vetëm politike, nuk ka arsye tjetër. Unë nuk kam asnjë lloj sigurie për këto që më kanë ndodhur në vazhdimin e jetës. Por, unë nuk do të trembem nga kjo. Unë do vazhdoj karrierën time, do jem kryetar i PS dhe do vazhdoj ta mbështes Partinë Socialiste”- tha Kajmaku në një prononcim për gazetarin e Tv A1 Report, Arsen Rusta. 

ARTAN GACI: ZJARRVËNIE E QELLIMSHME, POLITIKE
Deputeti i Partisë Socialiste, Artan Gaçi në një prononcim për "Tv A1 Report" mëngjesin e sotëm tha se "kemi të bëjmë me një zjarrvënie të mirorganizuar me pjesëmarrjen e disa personave". Ai ka shtuar se “gjendja është shumë e rëndë, është zjarrvënie e mirorganizuar me pjesëmarrjen e disa personave, 8 vatra zjarri të vëna qëllimisht ndaj biznesit të familjes Kajmaku, afër bombulave të gazit, afër dhomës së gjumit. Ata e kanë ngritur biznesin me sakrifica. Janë një nga familjet më të respektuara në zonë. S'kanë pasur kurrë probleme. E vemtja pistë është ajo politike. Dy ditë më parë, një gazetë ka publikuar materiale, që kompromentojnë se kreu i komunës së Prezës, që është dhe kryetari i PD-së në Prezë është një person i kërkuar për rrahje e abuzim me minorenët në SHBA. Tani vjen dhe përgjigja si pasojë e betejës politike në këtë zonë, ku PD ka humbur terren dhe nuk fiton më. As në '97-n nuk kanë ndodhur këto gjëra. Të shkosh të djegësh banesën e një kundërshtari vetëm sepse është i PS-së nuk ka ndodhur"- tha Artan Gaçi në prononcimin telefonik për "Tv A1 Report", duke shtuar se “fatmirësisht familjarët kanë arritur të ndiejnë zhurmën e fjalëve dhe kanë dalë jashtë. Zjarri ka ndërhyrë deri në dhomën e gjumit, ku flinte djali 12 vjeç dhe njëra prej bashkëshorteve të vëllezërve Kajmaku".


lavdi kajmaku

(Foto: Lavdim Kajmaku, kreu i PS-se ne Preze)

(Lajmi fillimisht u publikua në 07:48 dhe u përditësua në vazhdim

Redaksia Online
(sg/mag/shqiptarja.com)