Policia Rrugore e Tiranës ka bërë publik bilancin e punës përgjatë 72 orëve të fundit, ku janë zhvilluar kontrolle në hyrje-daljet e autostradave dhe rrugëve interurbane.

‘Blutë’ e kryeqytetit bëjnë më dije se përgjatë kontrolleve tek rrethrrotullimi i Selitës dhe ai Liqeni i Thatë, ku 59 drejtues automjetesh janë gjobitur, pasi hynin pa respektuar radhën dhe krijonin pengesa në qarkullimin e mjeteve.

Ndërkohe masa janë marrë edhe për shoferët që po kryenin parakalime të gabuara, me fushëpamje të kufizuara, në Rrugën e Arbrit.

Njoftimi i policisë:

Specialistët e Seksionit të Trafikut Interurban, gjatë 72 orëve të fundit, kanë zhvilluar kontrolle të përqendruara në hyrje-daljet e autostradave dhe rrugëve interurbane, për të garantuar respektimin e rregullave të qarkullimit dhe rritjen e sigurisë në trafik.

Gjatë këtyre kontrolleve, u evidentuan dhe u ndërmorën masa ndaj drejtuesve të automjeteve që:

-hynin pa respektuar radhën dhe krijonin pengesa në qarkullim, kryesisht tek rrethrrotullimi i Selitës dhe rrethrrotullimi te Liqeni i Thatë. Për këto shkelje u vunë 59 masa administrative;

-kryen parakalime të gabuara, me fushëpamje të kufizuara, në Rrugën e Arbrit;  

-parkuan në mënyrë të parregullt. Njëri prej këtyre automjeteve rezultoi debitor me 40 masa administrative. Mjetet e parkuara u spostuan me mjet ngritës.

Kontrollet e ndërmarra synojnë disiplinimin e drejtuesve të mjeteve, parandalimin e aksidenteve dhe krijimin e një qarkullimi të rregullt dhe të sigurt në rrugët e Tiranës.

Policia e Tiranës ju bën thirrje të respektoni rregullat e qarkullimit rrugor, të qendroni në rradhë, të mos parakaloni në mënyrë të gabuar dhe të parkoni në mënyrë të rregullt. Bashkëpunimi juaj është i domosdoshëm për të parandaluar aksidentet dhe për të garantuar sigurinë e të gjithëve.