Tiranë, lokali me muzikë të lartë shqetësonte banorët, policia me shkallë i çmonton 7 bokset e muzikës
Me verën vjen dhe muzika e lartë, e cila për administratorët e lokaleve shihet si një pikë për të joshur klientët por për banorët e lagjes ku ndodhet lokali është shqetësim i vërtetë dhe ndotje akustike.
Redaksia 10 Qershor 2023, 15:39 | Përditesimi: 10 Qershor 2023, 15:55
Me verën vjen dhe muzika e lartë, e cila për administratorët e lokaleve shihet si një pikë për të joshur klientët por për banorët e lagjes ku ndodhet lokali është shqetësim i vërtetë dhe ndotje akustike.
Prandaj policia ka ndërmarrë kontrolle intensive për parandalimin e ndotjes akustike. Në Durrës u vu në hetim pronari i një hoteli dhe një Dj ndërsa në Tiranë u proceduan dy menaxherët e rinj të një lokali.
Një rast i tillë ishte në një lokal në rrugën "Muatafa Matohiti", në Tiranë. Muzika e lartë përbënte shqetësim për banorët dhe policia shoqëroi në komisariat dy menaxherët e lokalit. Më pas kanë marrë shkallët dhe kane hequr bokset e muzikës, pikërisht 7 copë.
Dy djemtë, E. B., 21 vjeç, dhe M. A., 22 vjeç, të dy banues në Tiranë do të hetohen në gjëndje të lirë për “prishje të qetesisë publike".
Policia e Shtetit apelon për të gjithë administratorët dhe pronarët e lokaleve dhe hoteleve, që të zbatojnë me rigorozitet ligjin dhe rregullat në lidhje me ndotjen akustike, pasi në rast të konstatimit të ndotjes akustike, shërbimet e Policisë do të sekuestrojnë pajisjet që gjenerojnë muzikë dhe do të procedojnë sipas ligjit, shtetasit përgjegjës.
Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 11:00
Shqetësuan pushuesit me muzikë të lartë, nën hetim DJ dhe pronari i hotelit në Durrës
Pronari i një hoteli dhe një Dj janë vënë nën hetim nga Policia e Durrësit, pasi u konstatua se ata kishin vënë muzikë të lartë, gjë që ka krijuar shqetësim për pushuesit në atë zonë.
Nga kontrollet e ushtruara në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, në një hotel te shkëmbi i Kavajës, policia ka konstatuar se ishte vendosur muzikë e lartë dhe për këtë shkak banorëve dhe pushuesve në atë zonë u është prishur qetësia.
Për pasojë, janë vënën nën hetim për prishje të qetesisë publike, A. A., 40 vjeç, banues në Shënavlash, Durrës (pronari i hotelit) dhe Xh. I., banues në Korçë (muzikant).
Ndërsa pajisjet muzikore janë sekuestruar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme.