TIRANË - Ish-kryeministri dhe kandidati që kryeson listën e Partisë Socialiste në kryeqytet, Pandeli Majko nisi dje fushatën e njësinë numër 5 me një veprim simbolik, për të ndihmuar një vogëlushe 2-vjeçare, e cila është e prekur nga një tumor.

Me vajzën e vogël Mejsi në krahë, deputeti socialist i bëri thirrje të gjithë mbështetësve dhe anëtarëve të njësisë nr. 5, që të kontribuojnë. Majko ka kërkuar që përmes kësaj ndihme t’i jepet mundësi vogëlushes, që të shtrohet në një spital në Gjermani, ku do t’i nënshtrohet edhe ndërhyrjes.

Kërkesa e ish-kryeministrit ka sjellë një sensibilizim të madh të qytetarëve të pranishëm në sallë, ndërkohë që është hapur edhe një numër llogarie për të ndihmuar Mejsin e vogël.

Pavarësisht kërkesave të vazhdueshme dhe apelit ndaj institucioneve shtetërore, gjer më tani duket se lutjet kanë rënë në vesh të shurdhët.

Mejsi është e prekur nga një tumor i rrallë që rrezikon t’i marrë shikimin dhe më pas edhe jetën. Historia e dhimbshme nisi para 1 viti, kur pas ekzaminimeve prindërit mësuan për fatin e keq të vajzës. Familja Xhaxhaj thotë se shpëtimi i vajzës së tyre është i mundur vetëm nga një operacion i specializuar në Gjermani.

Familja jep këtë numër kontakti për ndihmë për këdo që ka mundësi të kontribuojë. Nr. kontakti për donacion:
0693737533

Ish-kryeministri socialist, Pandeli Majko, kryeson listat e Partisë Socialiste për Tiranë, ndërkohë që do të mbulojë në mënyrë të veçantë Njësinë nr.5, e cila është më e madhja. Ai ndihmohet edhe nga kandidatët; Blerina Gjylameti dhe Afrim Qëndro.


Redaksia Online
(ma/shqiptarja.com)