TIRANË - Pesë persona morën peng për disa orë një 27-vjeçar në Tiranë dhe e dhunuan fizikisht në një apartament. Dy prej tyre u vunë në pranga, ndërsa 3 u shpallën në kërkim, Klajdi Limani dhe Suate Cenoaliaj dhe një vajzë 25 vjeçare.
Sipas policisë, 2 nga të arrestuarit, Lusjan Kimza dhe Asmireld Nimani, 24-vjeçarë si dhe 3 bashkëpunëtorët, arritën që përmes dhunës dhe presionit ta detyrojnë të riun të shkojë në banesën e tij dhe të marrë 5000 euro, të cilat u gjetën në dhomën ku ai mbahej. Edhe pasi 27-vjeçari u dha paratë, ata e kanë kërcënuar t’u japë edhe 5 mijë euro të tjera.
Burime për gazetarin Sokol Dema, bëjnë me dije se vajza në kërkim, kishte pasur një lidhje dashurie me 27-vjeçarin dhe njëkohësisht edhe me Lusjan Kimzën. Ky i fundit pa se e dashura fliste me mesazhe me 27-vjecarin dhe kërkoi t’i merrnin atij para. Ishte pikërisht 25-vjeçarja e cila u përdor si karrem për të nxjerrë në takim 27-vjeçarin.
Në pranga përfundoi edhe Agustin Kimza 60 vjeç, babai i njërit prej të arrestuarve, pasi iu gjet në banesë1 pistoletë me municion luftarak.
Njoftimi i policisë:
Menjëherë pas njoftimit se një shtetasi i ishte hequr liria dhe ishte dhunuar, me qëllim dhënien e një shume parash, Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, ka organizuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve, si dhe për zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të shërbimeve të Policisë, në kuadër të operacionit “Kufizimi”, u identifikuan 5 autorët e dyshuar të rastit, u kapën dhe u vunë në pranga 2 prej tyre, shtetasit L. K., 24 vjeç dhe A. N., 24 vjeç, si dhe u shpallën në kërkim 3 bashkëpunëtorët, shtetasit K. N., 23 vjeç, M. M., 21 vjeçe dhe S. C., 25 vjeçe.
Nga hetimet e kryera me metoda proaktive dyshohet se këta 5 shtetas kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për t’i marrë para, 27-vjeçarit. Shtetasit L. K., M. M. dhe K. N. i kanë hequr lirinë, për disa orë, 27-vjeçarit, dhe e kanë dhunuar fizikisht atë, në ambientet e një apartamenti. Pasi 27-vjeçari iu ka dhënë 5000 euro, ata e kanë kanosur sërish atë, që t’iu jepte një shumë tjetër parash.
Në vijim të operacionit, u krye kontroll në banesën e shtetasit A. K, 60 vjeç, (babai i shtetasit L. K.), ku u gjet 1 armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë kontrollit në dhomën ku qëndronte shtetasi L. K. u gjetën 5000 euro (dyshohet shuma e parave që i ishte marrë 27-vjeçarit).
Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurosisë, për veprime të mëtejshme.
Komente










