TiranëAdministratori i një lokali në Tiranë ka rënë në prangat e policisë, pasi në këtë objekt organizoheshin lojëra fati.

Ndërkohë një tjetër do të hetohet në gjendje të lirë.

Gjatë kontrolleve në të dyja lokalet blutë sekuestruan tavolina pokeri dhe pajisje elektronike që shërbenin për këtë veprimtari.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariateve të Policisë Nr. 4 dhe Nr. 3, në vijim të kontrolleve në lokale dhe subjekte të tjera, me qëllim evidentimin dhe goditjen e rasteve të përshtatjes së tyre për organizimin e kundërligjshëm të lojërave të fatit, zbuluan 2 lokale ku organizoheshin lojëra fati

Për këto raste:

-u arrestua shtetasi E. H., 39 vjeç, pasi gjatë kontrollit në lokalin që administronte, në rrugën “Sitki Çiço”, u konstatua se kishte përshtatur ambientin për organizimin e lojërave të fatit. Në  cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 tavolina pokeri që u gjetën në lokal;       

-u procedua penalisht shtetasi E. C., 55 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, gjatë këqyrjes së celularit të tij, u gjetën aplikacione për baste sportive

Kontrollet kundër kësaj veprimtarie vijojnë”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë