Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 37-vjeçar, pasi në lokalin e tij në rrugën “Kole Koçi”, në Tiranë organizoheshin lojëra fati.

Në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, policia vuri në pranga kpersonin me inicialet A. Z., 37 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi një celular që u gjet në lokal, i cili përdorej për këtë veprimtari të paligjshme.

Njoftimi i policisë:

Tiranë/ Vijojnë kontrollet në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, për goditjen e rasteve të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.

Vihet në pranga administratori i një lokali ku organizoheshin lojëra fati. Sekuestrohet 1 celular.

Specialistët për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e lojërave të fatit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Bet”, kanë organizuar kontrolle në lokale dhe në ambiente të ndryshme të cilat mund të vihen në dispozicion për organizimin e lotarive të palejuara. Si rezultat i kontrolleve është evidentuar një rast i kësaj veprimtarie.

Në vijim të veprimeve për rastin, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Z., 37 vjeç, pasi në lokalin që ai administronte, në rrugën “Kole Koçi”, organizoheshin lojëra fati. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një celular që u gjet në lokal, i cili përdorej për këtë veprimtari të paligjshme.

 Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.