Pas lajmit se aksioni i mbjelljes së pemëve u shty deri në 22 Prill, nismës së Bashkisë së Tiranës iu bashkua edhe Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar dhe këngëtarja Eni Koçi. Ata mbollën disa pemë rreth Amfiteatrit të Liqenit Artificial, i cili po rikonstruktohet për t’u shndërruar në Teatrin e Hapur të Tiranës, që gjatë pranverës dhe verës do të mirëpresë shumë aktivitete artistike.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se punimet për rikonstruksionin e Teatrit të Hapur janë shumë afër fundit.
“Ky është një investim në natyrë, ku shpresoj që edhe ju do të sillni shfaqjet tuaja. Ndaj, jam shumë i lumtur që miqtë tanë të Orkestrës së RTSH na u bashkuan dhe për një çast lanë instrumentet e tyre, për të marrë një instrument tjetër, po aq të rëndësishëm për qytetin: lopatën, e për të na u bashkuar si një kor në këtë ‘muzikë të gjelbërimit’ që kemi ‘kënduar’ ditët e fundit. Ju falenderoj shumë!”.
Erion Veliaj, kryetar i Bashkisë së Tiranës
Veliaj tha se janë të shumtë qytetarët që e frekuentojnë këtë mjedis gjatë gjithë vitit, ndaj rikthimi në identitet do t’i kthejë qytetarëve që kalojnë orët e tyre në këtë pjesë të liqenit, i cili do të jetë jo thjesht një ambient modern edukimi e argëtimi, por edhe një skenë teatrore.
Dirigjenti Oleg Arapi, u shpreh i entuziazmuar për atmosferën e re që po merr e gjithë kjo zonë, duke i dhënë të rinjve një teatër të ri në natyrë e plot gjelbërim. “Zgjodhëm lopatën pikërisht për t’u krijuar një atmosferë sa më të këndshme brezave në vazhdim, fëmijëve tanë në radhë të parë, dhe për të krijuar një mjedis sa më të këndshëm, që të kemi mundësi të japim koncerte të bukura në këtë skenë të bukur që keni krijuar. Shpresoj që do e kënaqim publikun në çdo stinë”, tha Arapi.
Kryebashkiaku vlerësoi edhe kontributin e këngëtares Eni Koçi, që iu bashkua fushatës, si përfaqësuese e gjeneratës së re të artistëve të talentuar. “Dua të falenderoj shumë Enin që përfaqëson një gjeneratë të re artistësh. Ky është mesazhi që duam të japim për shumë të rinj që mendojnë që ky vend s’bëhet”, u shpreh ai.
Ndërsa, Eni Koçi i kërkoi të gjithë të rinjve që të bashkohen në këtë nismë për të lënë një gjurmë në krijimin e një mjedisi të pastër.
Veliaj e cilësoi fushatën e mbjelljeve në Tiranë si një nga më mbresëlënëset, e cila tashmë ka krijuar edhe një model të ri në sjelljen qytetare. “Ka qenë një ndër fushatat më mbresëlënëse në kujtesën time të qytetit, ku përveç atyre që e kanë për detyrë, siç Bashkia e ka për detyrë të mbjellë, të gjelbërojë, të ujisë, të krasisë, e ka për detyrë të bëjë këtë infrastrukturë, për herë të parë edhe njerëzit u ndjenë se i përkasin këtij qyteti dhe kush përket në një familje, kontribuon tek ajo familje”, tha Veliaj.