Policia e Tiranës ka arrestuar një 43-vjeçar dhe një 33-vjeçar të cilët kanë mashtruar të tretë duke shitur apartamente dhe duke përvetësuar përkatësisht 55 000 dhe 50 000 euro secili.

Sipas njoftimit të Policisë Tiranë mësohet se, nga Sektori Kundër Krimit Ekonomik Financiar, filloi proçedimi penal për shtetasin Ardian.L, 43 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë, pasi në vitin 2009, në Rrugën Freskut, dyshohet se ka mashtruar duke i shitur një apartament me vlerë 55.000 euro, shtetasit P.F. Po ashtu nën të njëjtën akuzë ka filluar  proçedimi penal për shtetasin Joanis.L, 33 vjeç,  banues në Tiranë, pasi në vitin 2011, e ka mashtruar duke i vjedhur 50.000 euro me premtimin për t'i dhënë një apartament  në zonën e Liqenit të Thatë, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasia M.B.

Në njoftimin Policisë mësohet se proçedim penal në gjëndje të lirë ka filluar edhe për shtetasin Haxhi.L, 19 vjeç,  banues në Tiranë, pasi para disa muajsh, me anë të mashtrimit i ka vjedhur 30.000 lekë dhe nuk i'a ka kthyer shtetasit M.H.

Po ashtu Policia e Tiranës njofton se gjatë 24-orëve të fundit, sa i takon dhunës në familje apo ndaj të tretëve është bërë i mundur ndërhyrja dhe pajisja me urdhër mbrojtje në 7 raste, duke nisur proçedim penal në gjendje për dhunuesit në fjalë.

Po ashtu, uniformat blu kanë mundësuar dokumentimin e një vjedhje të ndodhur pak kohë më parë, duke proceduar katër shtetas: Denis Artan Belegu, 19 vjeç, banues në Tiranë. Marius Nikollaq Mile, 29 vjeç, banues në Tiranë.  Drini Astrit Mezexhiu, 22 vjeç, banues në Tiranë,  Si dhe filloi proçedimi në gjendje të lirë ndaj shtetasve: Dario.H, 15 vjeç, dhe Daniel.A, 16 vjeç, të cilët do të ndiqen penalisht për moskallzim krimi. Materialet në ngarkim të tyre ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë./ATSH/