Vetë kryeministri Berisha, presidenti Topi dhe neurikirurgu Mentor Petrela, konfirmuan lajmin paraditen e sotme. Që prej orës 17:00 të pasdites së të mërkurës pretendenti i fronit mbretëror ndodhet në reanimacion në pavionion e Neurokirurgjisë.
TOPI TAKON LEKA ZOGUN
Rreth orës 11. 30 minuta Leka Zogu u vizitua nga presidenti i Republikës Bamir Topi, i cili në një prononcim për median tha se kishte komunikuar me Leka Zogun dhe i kishte uruar shërim të shpejtë.
BERISHA
Në një prononcim për shtyp pas vizitës së Leka Zogut në reanimacionin e spitalit nr 5 të QSUT, Berisha tha “"është një gërshetim patologjie komplekse, por gjendja dhe parametrat në tërësi, siç më njofton ekipi që ndjek në mënyrë permanente Madhërinë e Tij, Lekën e I, ka shenja të qarta përmirësimi. Ajo që mund të them është se komunikova shumë mirë me të, e gjeta optimist se do ta kapërcejë këtë situatë, uroj që të dalë sa më shpejt dhe shërim të shpejtë nga situata për të cilën erdhi në spital Madhëria e tij".
Berisha tha se "Qeveria është e vendosur të japë çdo lloj mbështetjeje, në mënyrë që të kapërcehet kjo situatë shëndetësore, të përmirësohet e të vazhdojë aktivitetin e tij"
DOKTOR PETRELA
Edhe doktor Petrela, në pavijonin e të cilët është shtruar pinjolli i familjes mbretërore shqiptare, tha se gjëndja shëndetësore sot "është më e mirë se një ditë më parë dhe është i vetëdijshëm, megjithatë ai do të vazhdojë të qëndrojë në reanimacion dhe nën kontrollin e vazhdueshëm të mjekëve. Sipas Petrelës, Lartmadhëria e tij po mjekohet për vuajtje multi-sistemike, ku mbizotëron vuajtja e zemrës dhe mushkrive.
ÇFARE NDODHI DJE
FAMILJA MBRETERORE
Familja mbretërore nëpërmjet një njoftimi për shtyp duke iu referuar mjekëve, deklaroi mbrëmë se gjendja e Leka Zogut është relativisht e rëndë për shkak të sëmundjeve të zemrës dhe problemeve të mushkërisë. Megjithatë ajo vlerësohet drejt stabilizimit, shpjeguan mjekët. "Familja mbretërore falenderon ekipin mjekësor dhe stafin e QSUT-se, të afërmit e pretendetit për fronin e Shqipërisë shpresojmë në përmirësimin e shëndetit të tij"- thuhet në njoftimin për shtyp të shpërndarë mbrëmë në media
MJEKET: KA PESUAR FIBRILACION ALTERAL
Nëndrejtori i QSUT-së, Besim Boci tha dje se ai ka pësuar një fibrilacion alterial, ndaj edhe temperatura i ka zbritur në 35.2 gradë celcius. "Pacienti ka ardhur në gjendje kome në spital dhe ka pësuar një fibrilacion alteral. Që do të thotë se zemra nuk rreth normalisht (nga 60-90 rrahjenë minutë), në fibrilacion rrahjet e zemrës arrijnë në 150, 200. Që do të thotë se zemra nuk rreh më, por dridhet dhe si pasojë nuk mund të furnizojë me gjak si duhet organet e trupit, ndaj edhe i ka zbritur temperatura. Ai vazhdon të jetë në gjendje kome prej një kohe të gjatë, dhe nëse vazhdon kështu, e ka të vështirë t'ia dalë", - shpjegoi dje mjeku Boci.
Ndërkohë që neurikirurgu Mentor Petrela, në pavijonin e të cilët është edhe shtruar pinjolli i familjes mbretërore shqiptare, deklaroi dje se Leka Zogu vuan nga disa sëmundje, ku mbizotërojnë problemet e zemrës dhe të mushkërive. Prici Leka Zogu është 72 vjeç dhe vuante prej kohësh nga probleme të mushkërive, problem nga i cili ishte shtruar në spital edhe 6 muaj më pare.
PETRIT VASILI: ZOGU PO PERMIRESOHET
Në një deklaratë për mediat ministri i shëndetësisë, Petrit Vasili, shpjegoi dje se gjendja shëndetësore e Leka Zogut është në përmirësim. Sipas Vasilit mjekët janë optimist mbi rekuperimin e tij dhe po monitorojnë vazhdimisht gjëndjen e tij klinike.