Tiranë- Policia ka shpallur në kërkim 32-vjeçarin i cili mbrëmjen e djeshme plagosi me armë zjarri një 29-vjeçar në  rrugën e Dibrës, Tiranë.

Burime për Report Tv bëjnë me dije se Franci Canaj qëlloi në këmbë taksistin Gerald Hoxha pas sherrit se i kishte zënë vendin e parkimit.

Fatmirësisht i riu ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

"Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se në Rrugën e Dibrës ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. C., 32 vjeç, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin G. H., 29 vjeç, e ka qëlluar këtë të fundit në këmbë, me armë zjarri. Shtetasi G. H. mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën, informoi sot policia.

Ndërkohë autori i ngjarjes rezulton me precedentë të mëparshëm penal. Në 2016 ka qenë i arrestuar në Itali për drogë dhe prostitucion.