TIRANË - Një përplasje për motive pronësie çoi në plagosjen e dy personave në Tiranë. Ngjarja u shënua rreth orës 14:30 të drekës në Kodër Bërxullë, ku 42-vjeçari Agim Loci kryeplak i fshatit Bërxullë u plagos me armë zjarri së bashku me Eduard Vanin, 36 vjeç, banor i zonës. Menjëherë pas ngjarjes policia shpalli në kërkim 36-vjeçarin Remzi Haka, i cili u prangos disa minuta më vonë.

KONFLIKTI

Gjatë orëve të drekës së djeshme, punonjës policorë të Komisariatit Nr.5 në Kamzë morën njoftimin për plagosjen e dy personave në fshatin Bërxullë. Burime zyrtare të policisë së Tiranës bënë të ditur se në vendngjarje shkuan menjëherë forca të policore të Komisariatit Nr.5, Nr.6 si dhe agjentë të Seksionit Kundër Krimeve ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit. Policia tha, se identifikoi si të plagosur Locin dhe Vanin, ndaj të cilëve ishte qëlluar me armë zjarri. Nga ekspertiza paraprake në vendin e ngjarjes, rezultoi se autori i dyshuar i plagosjes, kishte përdorur pistoletë tip TT, nga e cila u gjetën disa gëzhoja në vendin ku mbetën të plagosur kryeplaku dhe shoku i tij. Punonjësit policorë transportuan për në Spitalin Ushtarak dy të plagosurit, ndërkohë që shpalli në kërkim policor Hakën, gjithashtu banor i zonës. Sipas të njëjtave burime të policies, mësohet se konflikti ka nisur fillimisht në vendin e quajtur Kodër Bërxullë, ku kryeplaku Loci kishte shkuar në tokën e Hakës për të vendosur disa shtylla ndarëse, të cilat do të mundësonin kufizimin e një sipërfaqeje toke, në pronësi të 36-vjeçarit. Nga të tjera burime të besueshme policore, mësohet se Loci shoqërohej nga Vani, i cili kishte shoqëruar kryeplakun me qëllim shmangien e ndonjë konflikti dhe ruajtjen fizike të tij. Burimet saktësojnë se konflikti mes Locit dhe Hakës ekzistonte prej shumë muajsh, dhe herë pas here ata kanë pasur përplasje mes tyre, përplasje të cilët kishin qëndruar gjithmonë në kuadrin e fyerjeve dhe sharjeve, pa përfunduar kurrë me përplasje fizike. Burime jozyrtare thonë se ditën e djeshme, Haka ka qenë “i përgatitur” për njerëzit që po shkonin në pronën e tij. Ai ka mundur të sigurojë një pistoletë, me të cilën kreu dhe plagosjen e kryeplakut të Bërxullës dhe shoqëruesit të tij Vani.

ARRESTIMI

Pak çaste pas plagosjes, Agim Loci dhe Eduard Vani u dërguan në Spitalin Ushtarak të Tiranës, ku pas ndihmës së marrë mjekësore ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Policia tha paraprakisht se Vani i kishte qëlluar në pjesën e këmbëve, duke mos u shkaktuar plagë të rënda dhe dëmtime serioze për jetën. Dëshmia e vetë të plagosurve ka zbardhur ngjarjen brenda pak çastesh, duke mundësuar që policia të shpallte menjëherë në kërkim policor si autor të dyshuar 36-vjeçarin Riza Haka. Sipas burimeve, ai u kap shumë pak metra larg vendit ku ndodhi plagosja, dhe gjatë kontrollit fizik atij iu gjet dhe pistoleta tip TT me të cilën realizoi plagosjen, armë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Ndaj Hakës rëndon akuza e “vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë”.

Lajmi u përditësua


Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)