Tiranë - Policia e Tiranës ka zbardhur dinamikën e plagosjes së një 24-vjeçari një ditë më parë në Bathore. Pas hetimeve të kryera bëhet me dije se i riu ka pasur një konflikt me një bashkëmoshatrin e tij.
Sipas burimeve autori i dyshuar i ka shitur makinën të plagosurit, por nuk kishin bërë aktin e shitjes. Doaldo Bajrami i kishte kërkuar disa herë që të shkojnë tek noterja për të bërë kalimin e pronësisë së mjetit nga emri i tij tek Elvis Visha.
Ky i fundit e kishte shmangur këtë gjë pasi njihet si përdorues i lëndëve narkotike dhe kishte frikë se mos bënte ndonjë aksident dhe nuk donte që makinën e blerë ta kishte në pronësi të tij.
Visha i kishte thënë Bajramit se makinën e ka shitur tek një person tjetër. Por autori i dyshuar e kishte parë duke qarkulluar me makinë dhe pastaj në banesën e tij mori çiften dhe e qëlloi duke e plagosur në krah.
24-vjeçari u arrestua për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Njoftimi i policisë:
Pasditen e djeshme, pas marrjes së njoftimit se në spital ishte paraqitur për të marrë mjekim, një shtetas që ishte plagosur me armë zjarri, specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda të DVP Tiranë në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 5, organizuan menjëherë punën, me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit dhe identifikimin e autorit. Si rezultat i veprimeve profesionale, u identifikua, u kap dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi:
D. B., 24 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se dje, në rrugën “Ali Këlçyra”, shtetasi D. B., gjatë një konflikti për motive të dobëta, me shtetasin E. V., 24 vjeç, e ka plagosur atë, në krah, me armë zjarri.
Shtetasi E. V. ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente









