/ATSH/-  Drejtoria e Policisë së Tiranës në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, dokumentoi aktivitetin kriminal të shitjes së narkotikëve, nga një grup i strukturuar kriminal, pas një ndjekje të gjatë me metoda speciale hetimi.

Gjatë operacionit policor të koduar "QIRAJA", u ekzekutuan urdhërat e arrestit për shtetasit: Ilia Shaban Elezi, 57 vjeç, Grigor Miti Baloshi, 53 vjeç,Gjergj Stefan Kolvani, 45 vjeç, Blendi Nikollaq Spaho, 39 vjeç, Gentian Pellumb Hoxha, 32 vjeç, Armando Islam Dangëllia, 38 vjeç, Myzejen Hasan Nuzi, 37 vjeç, Feliks Islam Dangëllia, 32 vjeç, Megi Shaban Maknori, 22 vjeç, te gjithe banues ne Tiranë. Për të gjithë këta shtetas Gjykata për Krimet e Rënda ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", thuhet ne njoftimin për shtyp të Drejtorisë së Policisë Tiranë.

Grupi ushtronte aktivitetin kriminal prej rreth 1 viti, të shtrirë në qytetin e Tiranës në zonën e Kombinatit, Unaza e re, Yzberisht, parku i Autobuzave, si dhe në qytetet Durrës, Fier dhe Vlorë.

Ndersa gjatë operacionit u sekuetruan 2 automjete me të cilat kryhej shpërndarja e narkotikëve, si dhe u kap 300 gram lëndë narkotike e dyshuar Heroinë gati për shpërndarje, një peshore, rreth 10 gramë metadon, 16 telefona celularë e karta telefoni, si dhe shuma prej rreth 1 milion lekë. Policia po punon për kapjen e dy shtetasve të shpallur në kërkim: B.M dhe R. U.,  të cilët rezultojnë të jenë pjesë e këtij grupi kriminal, citon njoftimi.