Policia e shtetit ka bërë me dije masat që do të merren ditën e nesërme në kuadër të protestës që do të mbajë opozita dhe Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit para bashkisë së Tiranës në orën 10:00.

Bëhet me dije nga policia se nesër që nga ora 09:45 e në vijim do të bllokohet përkohësisht qarkullimi i mjeteve në bulervardin kryesor pranë bashkisë së Tiranës dhe i bëhet thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të gjejnë rrugë alternative deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.

'Në zbatim të planit të masave, Policia e Shtetit njofton se, ditën e nesërme, në orën 09:45 e në vijim, do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit të mjeteve, në bulevardin kryesor pranë Bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye sugjerojmë që të përdoren rrugë alternative, deri në përfundim të tubimit, si Unaza e Mesme dhe Unaza e Madhe.', thuhet në njoftimin e policisë.

Këto masa vijnë, pasi në dy protestat e fundit të zhvilluara nga Aleanca dhe Rithemelimi u hodhën lëndë plasëse molotovë, saqë njëra prej tyre rrezikoi jetën e një punonjësi policie.

Policia u bën thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të shmangen nga çdo akt dhune dhe të respektojnë ligjin.

'Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë respekton plotësisht të drejtën e qytetarëve për të organizuar dhe marrë pjesë në tubime paqësore. Policia u bën thirrje organizatorëve, drejtuesve dhe pjesëmarrësve në tubime të respektojnë ligjin dhe të distancohen nga çdo akt dhune.', vijon më tej njoftimi.