Fillimisht e ka marrë fjalën deputeti i zonës "Don Bosko", Sadri Abazi, i cili tha se “problemet dhe hallet tuaja janë të shumta, por sot kryeministri tregon përralla". Abazi ka cilësuar se ai dhe kryeministri i ardhshëm, Edi Rama janë vetëm për vepra, në ato që bëjnë”.
Ndërsa Rama "qau hallet" me banorët mbi konkurrencën e pandershme, mungesën e rendit publik, taksat, importin e plehrave, punësimin.
THEMELUESI I PD GRIS TESERËN E PD-SË
Një qytetar, Jashar Shehu, i cili pretendoi se ishte themelues i PD-së në Dibër, mori fjalën në takim dhe pasi shprehu zhgënjimin e tij nga PD në këto 23 vjet të drejtimit të vendit kërkoi të digjte teserën e PD-së në prani të kamerave. Edhe pse Rama kërkoi të mos e bënte këtë, qytetari rikërkoi pranë vetes kamerat dhe në vend të djegies, e grisi atë. “Nuk jam anëtar, jam themelues i PD-së”, tha Jashar Shehu, i cili i tha Ramës se “nuk kam nevojë as për ty, as për Sadri Abazin, por dua thjesht shtet”. Më pas Shehu shtoi se “Rama ka dhënë prova për Tiranën”.
“Po të më kishe dëgjuar mua nuk duhet ta kishe grisur, është zgjedhja jote. Edhe unë i 90-s jam, por ika për 20 minuta Aq m’u deshën, e takova atë zotërinë dhe ika, ndaj jam te PS unë”, i tha Rama, duke i kujtuar edhe një episod të Ndre Legisit, i cili si i persekutuar vajti në Qytet Studenti në vitin ’90-të, por në zyrën e PD-së e pritën njerëzit e Saliut, komunistët. “Të ishte për ju, rrija te Partia e Punës”, iu tha Legisi.
JAM KRENAR PËR "DON BOSKO"-N
"Kisha kohë pa kaluar, por siç e kam lënë e kam gjetur këtë zonë. Jam shumë krenar, që me mundësi të kufizuara në Bashkinë e Tiranës të nxjerrim këtë zonë nga balta, por shih e shkruaj”, tha ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama.
HEQJA E TAKSËS SË BIZNESIT NUK RËNDON BUXHETIN
I pyetur se sa e përballueshme është në buxhetin e shtetit heqja e taksës së biznesit të vogël, Rama u përgjigj se "efekti në buxhet i heqjes së taksës së biznesit të vogël nuk është i papërballueshëm; është më pak se 30 milionë euro, ndërsa ajo e arkëtuar së fundi është 21-22 milionë dollarë, ndërkohë që bëhet fjalë për 400 mijë njerëz. Heqja e kësaj takse do të ndodhë brenda 100 ditëve të para të qeverisjes", premtoi Rama.
Ai shtoi se PS do të përgjysmojë dhe tatimin e fitimit. "Saliu u premtoi në 2005-n përgjysmimin e taksës, dhe e bëri, por në 2007 u vuri taksën e sheshtë, më pas TVSH mbi taksën e sheshtë dhe gjendja u përkeqësua", theksoi Rama.
Sipas kreut të opozitës, "shteti është makineri elektorale për hesapet e pushtetit, ndërsa qeveria është katandisur si kompani private për përfitimet e anëtarëve të qeverisë dhe kryetarit të kompanisë".
LUFTË SOLEMNE KRIMIT NË 300 DITË
Një taksist i zonës së “Don Boskos” i përshkoi Ramës situatën e rëndë të tyre, duke shtuar se ka konkurrencë të pandershme dhe kur telefonojnë te numri 126 nuk përgjigjet njeri. Rama iu përgjigj të mos telefononte më kot në numrin 126, sepse janë të gjithë në fushatë.
“Por dhe kur nuk janë në fushatë, gjithë vitin janë sërish në fushatë, sepse kapin një punë për të nxjerrë ndonjë fitim, mjafton që të jenë gati për fushatë kur vjen koha”, tha Rama.
Ai premtoi se “do merremi seriozisht me Policinë e Shtetit; njëra anë është ana ligjore dhe imponojmë zbatimin e ligjit dhe nuk do lejojmë ilegalitet të kësaj natyre”. Rama renditi se janë trefishuar grabitjet me dhunë në rrugë, janë dyfishuar vjedhjet e banesave.
“Është dhe fukarallëk, papunësi, por është mungesë e shtetit, Policisë së Shtetit. Janë vrarë 8000 vetë në konfliktete pronës në vitet e tranzicionit. Ne kemi marrë zotim solemn, që në 300 ditët e para i kemi shpallur luftë madhore krimit dhe do vendosim Policinë e Shtetit në krye të detyrës. Kush prek një qytetar shqiptar ka prekur shtetin dhe do përballet me Policinë e Shtetit. Kush prek pronën e një familjeje dhe pronën publike është njësoj, se në këtë vend është bërë shesh e kush mundet bën përshesh", komentoi Rama.
Rama ka shtuar edhe disa "të dhëna shumë kokëforta", se si Saliu gënjeu kë mundi në vitin 2005, duke thënë se është koha për ndryshim, por nga 8250 krime në 2005, sot pas 7 vjetësh Shqipëria nën këtë qeverisje numëron 20688 vetë. "Policia është në sinkron, në harmoni me krimin. Policia niset për të kapur një kriminel, por krimineli e merr vesh përpara sepse operacioni shitet", tha Rama. Sipas tij, fshatarët janë armatosur me çifte, por nuk duhet të mbrohemi me çifte".
MINISTRIA E BRENDSHME SI AGJENCI FUNERALE
"Vriten policët si mizat dhe Ministria e Brendshme është kthyer si agjenci funerale, që organizon funerale dhe homazhe për policët", theksoi Rama me banorët në Shkozë.
Rama ka shtuar se PS ka program si do rriten rrogat për policinë, si do trajtohen familjet e policëve të vrarë. "Gratë e tyre shumica janë pa punë, pa shtëpi. Si do ndërtojmë një polici dinjitoze me këtë gjendje?!", ka thënë Rama.
Kreu socialist ka premtuar siguri jete për çdo polic, strehë dhe punë, kujdes për gjithë fëmijët e policëve të vrarë. "Që ata të jenë krenarë për detyrën, uniformën, jo të lënë rrugëve, që të hanë fara nëpër cepa, e s’kanë asnjë faj policët, të jemi të sinqertë. Paguajnë dhe 3000 euro për të blerë një vend pune. E këto para duhet t’i nxjerrësh diku!!", shtoi Rama.
STOP IMPORTIT TË PLEHRAVE, HELMON TOKËN, E BËN TË PABANUESHME
Rama ka premtuar që, në mandatin e parë do trasformohet rrënjësisht Policinë e Shtetit. "I kanë lënë policët rrugëve, edhe uniformat ua kanë lënë për ibret se dhe te xhepat e uniformave duan të fitojnë ndonjë lekë. Nuk e themi ne këtë, por raportet ndërkombëtare, raporti i DASH afirmon lidhjen me krimin të krerëve të lartë të shtetit", ka akuzuar Rama. Ai më tej ka kaluar tek importi i plehrave, si argumentim i lidhjes së krimit me Policinë e Shtetit.
“Për të mbushur Shqipërinë me plehra importi, sikur nuk mjaftojnë plehrat që kemi këtu, por do i marrin edhe nga importi! Pse ato që janë vende më të përparuara i sjellin këtu?! Pse nuk i përpunojnë vetë?!", pyeti Rama.
Ai shpjegoi se "në plehrat që hyjnë në Shqipëri ka elementë të rrezikshëm kimikë, që rrezikojnë ta kthejnë vendin, ku hyjnë, në tokë të djegur dhe se nga vijnë plehrat ka standarde dhe nuk i lë njeri t’i përpunojnë. Duhen shpenzime të mëdha për t’i asgjesuar dhe përpunuar".
"Këta i vendosin plehrat pa asnjë standard dhe s’duan t’ia dinë fare. Po të shihni importin në vende të tjera ato kanë pjellë katastrofa të jashtëzakonshme. Zakonisht i çojnë në vende me regjime hibride, të korruptuara. Toka bëhet e pajetueshme, jo thjesht nuk prodhohet më. Janë shpërngulur popullata të tëra, se toka helmohet krejtësisht dhe vdesin dhe lindin fëmijë me probleme të rënda", tha Rama.
BERISHA, KOMUNISTI MË I KEQ ANTIKOMUNIST
Rama theksoi se “PD, nga parti e ëndrrave u kthye në partinë familjare të një komunisti, nga ata që Vaslav Haveli i quante llojin më te keq të komunistëve: ‘Komunisti më i keq është antikomunisti’. Nga të parët nuk të gjen gjë, nga të dytët të gjen belaj”, tha Rama.
Halli i tyre lidhet me hallin e madh të PD. Një parti që i përdori, tradhëtoi, abuzoi tërësisht. Nuk jemi parti ideologjike. Jemi të lumtur që jetojmë në një epokë post-ideologjike. Jemi në kohën e idealve të zhvillmiit. I besojmë shumë fort idealit të lirisë, solidaritetit.
MOS MA JEPNI MË VOTËN, NËSE JU GËNJEJ PËR LEGALIZIMET
"Nuk është premtim si i Saliut ky imi për legalizimet. Do ta fillojmë menjëherë këtë proces. Unë zotohem se do ta drejtoj personalisht dhe do përgjigjem personalisht procesin e legalizimeve. Se këto janë të regjistruara. Nëse pas 4 vitesh unë do vij këtu dhe do jemi akoma te faza, që do kem bërë 10-15 % të legalizimeve nga 5% që ka bërë Saliu, solemnisht u them, që askush nuk duhet të japë më votë për mua dhe PS. Kjo u bë zvarritje e turpshme në mes të Europës. Shtoi ndërtimet pa leje, e mori Shqipërinë me 250 mijë ndërtime pa leje, e bëri me 400 mijë. Ne do t’i hyjmë detit në këmbë dhe do ia dalim përpara. Nuk do përfitoni vetëm një copë letër, por ekonomikisht një kolateral", tha Rama.
SALIU U JEP SHABAN TAPINË
Rama akuzoi Berishën, se ka 20 vjet që s’u jep shqiptarëve letra legalizimesh. "U jep Shaban Tapinë; shkon në hipotekë e s’ta quan Shaban Tapinë, që është për t’u rrejt juve, jo për t’u bërë me shtëpi".
Rama ka shpjeguar se çështja e legalizimit është shumë e rëndësishëm për ekonominë kombëtare. "Ju keni shtëpi me 3 kate, po s’keni bukë, se gjithë kapitalet shqiptari i ka hedhur në atë shtëpi. Atë shtëpi që sot është pa letra duke e legalizuar, e duke e kthyer në shtëpi të patundshme kthehet në kapital aktiv. Pa letra ajo nuk ekziston. Por me letra ti shkon në bankë dhe kërkon kaq lekë, se dua të hap një dyqan, biznes etj", ka shpjeguar Rama.
Ai ka vijuar se janë hedhur miliarda për të ndërtuar gjithë këto shtëpi, por ata nuk kanë ikur, janë aty, janë kolateral". Rama ka shtuar se "shteti fillon fiton nga të ardhurat që merr nga ky cikël dhe shembulli më tipik është Brazili. Ishte vendi që vuante nga uria, sot ka transformim të jashtëzakonshëm nga legalizimet".
Ç'SHQIPTARË JEMI NËSE NUK NDIHMOJMË!
Rama ka theksuar se një shqiptar që i thotë vetes shqiptar duhet të solidarizohet, të ndihmojë një tjetër shqiptar. “Se ç’shqiptarë jemi ne që s’ndihmojmë?! Do votosh për këtë që thotë: mos u sëmur se s’ke lekë. Ku është solidariteti këtu dhe humanizmi?", theksoi Rama. Sipas tij, PS do të bëjë shëndetësi falas. 'Por karrigen ta marrë me 1 euro, jo falas", shpotiti Rama. Ai analizoi situatën e shëndetit në vend, ku një i papunë, që nuk sigurohet dot, as nuk ka shërbim shëndetësor falas. Sistemi i sotshëm kush është në punë paguan sigurim dhe merr shërbim shëndetësor. Lekë s’ke. Kush sëmuret duhet të marrë edhe taksi, se s’ka ambulanca. Po ç'humanizëm është ky?!"
Ç’LIDHJE KA, MEQË JEMI NGA VERIU, TË JAP VOTËN?!
Ramau ka bërë thirrje banorëve, që të mos shohin përkatësitë krahinore apo partiake, por interesin e tyre. "Ai që ka një dyqan e do uljen e taksave do shkojë të votojë te Sala meqë është nga veriu dhe ai është jam nga veriu apo do investojë për të hequr taksat e biznesit të tij?", pyeti Rama, duke shtuar se "Sala e ka në terezi. Po doni punë, pushoni Salën nga puna. Doni të mbani Salën në punë? Mbajeni dhe rrini pa punë. Por e keni vënë në punë që t’u gjejë punë".
"Mbiemri i nënës sime nga Vunoi është Koleka, dmth Kol Leka, që erdhi nga Mirdita dhe u vendos në bregdet, si ju që erdhët nga Veriu për jetë më të mirë. "Të dal edhe unë nga Veriu që të më jepni votën. S’ka lidhje kjo. Kush bën punën, jo nga është", theksoi Rama.
"Për çfarë të duhet vota?! Vota s’të duhet për të mundur Edi Ramën. S’është ndeshje futbolli. Jam me ekipin e Valbonës, për shembull, dhe nuk e lëshoj, ok. Po punë e madhe se Valbona top është. Këtu nuk luhet me top, luhet me jetën tate. Unë komunist? Kemi persekutuar njerëz unë dhe Ditmiri?! Po ky çfarë bënte? Rrinte varka e s'dilte në breg", tha Rama, duke ironizuar me fotot e Berishës në varkën e udhëheqësve komunistë.
Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)