Një 58- vjeçar ka humbur jetën ditën e sotme, pasi ka rënë nga lartësia e një pallati në ndërtim, ku po kryente punime.

Sipas policisë, ngjarja na ndodhur në kryqëzimin e rrugës "Dërvish Luzha", në kryeqytet, ndërsa 58- vjeçari Kurt Islami, i cili punonte tek firma 'Inerti shpk', ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes për shkak të dëmtimeve të rënda që ka marr.

"Më datë 27.08.2024, në kryqëzimin e rrugës "Dërvish Luzha", dyshohet se, aksidentalisht duke punuar, është rrëzuar nga lartësia e një pallati në ndërtim e sipër, shtetasi  Kurt Islami, 58 vjeç, i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka ndërruar jetë në vendngjarje", njoftoi policia.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Ndërkohë, lidhur me humbjen e jetës së punëtorit 58- vjeçar, ka reaguar edhe Qëndresa Qytetare. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Qëndresa shkruan se në kantierët e ndërtimit ka mungesë të kushteve të sigurisë teknike. 

Qëndresa kërkon nga autoritetet zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes.

Reagimi i plotë:

Kantieret e ndërtimit si Galeritë e Vdekjes në miniera, humb jetën pas rënies nga kati i 7 muratori 58 vjeçar! Mungesa e kushteve të sigurisë teknike në punë ka shkaktuar tragjedinë e radhës.

Orët e para të mëngjesit të sotëm në një kantier ndërtimi në zonën e 5 Majit në Tiranë  punëtori i ndërtimit Kurt Islami ka rënë nga kati i 7 duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Ngjarja ka tronditur kolegët e 58 vjeçarit  Kurt Islami dhe banorët e zonës, teksa mungesa e kushteve të sigurise teknike në punë është kthyer në një fenomen shqetësues, për të cilin Inspektoriati Shtetëror i Punës ka zgjedhur heshtjen.

Qëndresa Qytetare  i shpreh ngushëllime familjes Islami dhe kërkon urgjentisht nga autoritetet zbardhjen e rrethanave të plota të ngjarjes dhe vënien përpara përgjegjësisë së drejtuesëve të kompanisë që kanë anashkaluar çështjen e zbatimit të rregullave të sigurisë teknike në punë.

Kantierët e ndërtimit ashtu si galeritë e minierave janë me rrisk të lartë sa i përket aksidenteve në punë me pasoja të rënda, ndaj vëmendja e Inspektoriatit të Punës duhet të jetë me madhe në raport me këto sektorë.