Arben Seferi pas debatit verbal ka nxjerrë armën e zjarrit dhe ka qëlluar në drejtim të Eljon Lekës, që ndodhej brenda në lokalin që shihni në këto pamje që sjell Report Tv. Plumbat e zjarrit kanë lënë të plagosur Eljon Lekën dhe tre klientë të lokalit të cilët nuk kishin asnjë lidhje me konfliktin
Bashkë me Lekën kanë mbetur të lënduar edhe shtetasit Bujar Mrishaj 39 vjeç. Bledar Gosturani 33 vjeç dhe Avni Byberi 47 vjeç, të cilët po marrin mjekim në spitalin e Traumës dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Autori Arben Seferi fillimisht ka shkuar tek lokali i tij dhe i ndihmuar nga i vëllai, Astrit Seferi, ka mundur të largohet në drejtim të paditur. Policia ka shpallur në kërkim të dy vëllezërit Seferi dhe një bashkëpunëtor të tyre. Janë ngritur pika kontrolli në rrugët dalëse të kryeqytetit, ndërsa vijon krehja e zonës.
Të plagosurit jashtë rrezikut për jetën
Të plagosurit janë transportuar në drejtim të spitalit të Traumës dhe mësohet se gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën. Ende nuk dihet nëse palët e përfshira në konflikt janë persona me precedent penal por policia vijon punën hetimore në këtë drejtim. Paralelisht do merren në pyetje edhe të plagosurit për të dhënë më shumë detaje rreth ngjarjes.
[gallery]24082[/gallery]
Lajmet minutë pas minute nga plagosja e katëfishtë
Ora 21:10 Policia ka shpallur në kërkim dhe vëllain e autorit
Arben Seferi dyshohet se është ndihmuar nga i vëllai Astrit Seferi, për t'u larguar nga vendi i ngjarjes pas plagosjes së katërfishtë.
Ora 21:00 Detaje/Seferi kishte konflikt me Eljon Lekën
Arben Seferi mësohet se kishte konflikt me Eljon Lekën, i mbetur i plagosur këtë pasdite në Laprakë. Tre personat e tjerë të cilët mbetën të plagosur nuk kanë lidhje me ngjarjen.
Ora 20:20 Veliu: Janë dy autorë të plagosjes, konflikti nisi dje
Drejtori i policisë së Tiranës, Ardi Veliu ka dhënë një deklaratë për mediat nga vendi ku ndodhi plagosja me armë në Laprakë.
Veliu theksoi se konflikti mes personave ka nisur një ditë më parë, ndërsa sot ishin takuar për t'u sqaruar.
"Zanafilla e konfliktit ka nisur një ditë më parë. Sot janë takuar dhe kanë qëlluar me armë. Janë dy persona në kërkim për plagosjen", tha Veliu.
Ora 19:40 Policia ngre post-blloqe në hyrje-dalje të Tiranës
Rrugët kryesore hyrëse dhe dalëse të Tiranë po patrullohen nga policia në vijim të punës për lokalizimin dhe arrestimin e autorit të plagosjes.
Ora 19:20 Identifikohet autori i plagosjes, Arben Seferi
Arben Seferi, pronar i lokalit është identifikuar nga policia si autor i plagosjes së katërfishtë në Laprakë. Burime pranë policisë bëjnë të ditur se Seferi ka qëlluar katër personat brenda në lokalin e tij. Mësohet se gjithçka ka qenë shkak i një sherri mes autorit dhe të plagosurve.
Ora 19:10 Njoftim i policisë për ngjarjen, identifikohen të plagosurit
Më datë 29.09.2017,rreth orës 18:40, kemi marrë njoftim se në rrugën “Gjergj Legisi”, janë plagos me armë zjarri disa persona.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe ambulanca, ku nga verifikimi paraprak ka rezultuar se :
Në rrugën "Gjergji Legisi", pas një konflikti në një lokal, janë plagosur me armë zjarri shtetasit E. L., 31 vjeç, B. M., 31 vjeç, B. K., 33 vjeç, dhe A. B., 46 vjeç.
Katër shtetasit e plagosur ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Janë identifikuar autorët dhe po punohet për kapjen e tyre.
Ora 19:00 Katër persona plagosen me armë zjarri në Laprakë
Katër persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri në Laprakë. Policia bën të ditur se ngjarja ka ndodhur brenda ambienteve të në lokali. Nuk dihet ende identiteti i personave të plagosur.
Ora 18:55 Raportohet për të shtëna me armë zjarri në Laprakë
Burime pranë policisë së Tiranës raportojnë se kanë marrë një telefonatë në sallën operative për të shtëna me armë zjarri në zonën e Laprakës.
(Vendi ku ka ndodhur plagosja e katërfishtë në Laprakë)