Tiranë - Tetë persona kanë rënë në prangat e policisë së kryeqytetit pasi shfrytëzonin për të punuar dhe për të lypur fëmijët e mitur.

Sipas njoftimit të bluve 4 prej tyre Eles Brahimaj, Rakip Sinani, Mikel Rama dhe Miklovan Gogaj janë lënë me masën e sigurisë 'Arrest në burg'.

Ndërkohë 4 gra të moshës 35 vjeçe janë lënë me masën e sigurisë 'Arrest në shtëpi'.

Të arrestuarit dhe gratë që janë në masën "arrest shtëpie", bashkëpunonin në grup. Ata i merrnin fëmijët në qytetin e Elbasanit, pjesë të komunitetit rom, u jepnin lule të cilat i shisnin në rrugë. Paratë ua merrnin fëmijëve, ndërsa i mbanin në punë deri në orën 05:00 të mëngjesit.

Në këtë orë i kthenin në Elbasan, për t'i rimarrë sërish pasdite, deri në orën 05:00 të mëngjesit tjetër. Këtë aktivitet për shfrytëzimin e të miturve dyshohet se e bënin prej kohësh.

Njoftimi i plotë:

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, me qëllim identifikimin dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të cilët shfrytëzojnë fëmijët, për të punuar dhe/ose për të lypur, u finalizua operacioni i koduar “Filizat”, gjatë të cilit u ekzekutuan masat e sigurisë:

-“Arrest në burg”, për shtetasit E. B., 41 vjeç, R. S., 35 vjeç, M. R., 35 vjeç dhe M. G., 34 vjeç;

-“Arrest në shtëpi”, për shtetaset L. B., 35 vjeçe, A. M., 41 vjeçe, M. S., 35 vjeçe dhe A. Sh., 35 vjeçe.

Nga veprimet hetimore disamujore, ka rezultuar se këta shtetas, individualisht dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shfrytëzonin për të punuar kryesisht gjatë natës, si dhe për të lypur, fëmijët e tyre të moshave 9-11 vjeç, në zona të ndryshme në juridiksion të Komisariatit të Policisë Nr. 2.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Keqtrajtimi i të miturit”.