Tiranë- Dy persona kanë rënë në prangat e policisë së Komisariatit Nr. 4 pasi shpërndanin në kanabis në formë xhelatine në një lagje të rrugës “Xhanfize Keko, në kryeqytet.

Të arrestuarit janë identifikuar si Denis Brakaj (Krasniqi), 35 vjeç dhe Elker Xibraku, 30 vjeç - të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit në banesën e 35-vjeçarit blutë gjetën dhe sekuestruan 802 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, si dhe 3 armë të ftohta (thika).

Ndërsa në zonën ku shisnin të rinjtë, efektivët sekuestruan 8 pako me kanabis në formë xhelatine - të fshehura nëpër cepa të mureve.

Njoftimi i policisë

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, pas informacioneve të marra në rrugë operative se në një hyrje pallati në rrugën “Xhanfize Keko”, dy shtetas mbanin dhe shpërndanin lëndë narkotike në formë xhelatine, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “STOP”.

Si rezultat i operacionit u kapën dhe u arrestuan shtetasit D. B(K)., 35 vjeç dhe E. X., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit të ambientit ku u konstatuan shtetasit e lartpërmendur, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 8 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis në formë xhelatine.

Më tej, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit D. B(K)., u gjetën dhe sekuestruan rreth 802 gramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, si dhe 3 armë të ftohta (thika).

Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të këtij rasti dhe për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të metejshme.