TIRANE – Filiali i bankës NBG në sheshin “Shtraus” në kryeqytet është sulmuar sot nga një grabitës i armatosur dhe si pasojë ka humbur jetën arkëtarja e këtij filiali. Gjithashtu është plagosur polici privat që ruante bankën. Banka e sulmuar ndodhet në zonën e njohur në Tiranë me emrin Xhamllëku.

Sipas burimeve policore, që citojnë dëshmitë e para të grumbulluara nga personat që ndodheshin aty pranë, autori ka qenë një person me maskë në kokë. Rreth orës 15:00, ai ka qëlluar me pistoletë, fillimisht nga jashtë për të eliminuar rojen (Skënder Elmazi, 53 vjeç), e më pas brenda në drejtim të arkëtares e cila nuk ka pranuar të dorëzojë paratë. Gjendja shëndetësore e kësaj të fundit është paraqitur menjëherë shumë e rëndë. Ajo është dërguar urgjentisht në Spitalin Ushtarak por nuk ka mundur t’i mbijetojë plagëve. Viktima është identifikuar si Leonora Kaloçi, 44-45 vjeç, nënë e dy fëmijëve.

Policia ka shkuar në vendngjarje dhe ka nisur hetimet. Një person që dyshohet si autor i ngjarjes është shoqëruar në komisariat.

Dy vite më parë, i njëjti filial ka qenë objekt i një tjetër tentativë grabitjeje.

NE SPITAL S'KA SHOFER PER TRUPIN E LEONORES
Përveç tragjedisë për humbjen e të afërmes së tyre, familjarët e arkëtares së vrarë, Leonora Kaloçi, dje janë përballur edhe me një tjetër incident që i ka irrituar ata së tepërmi. Në momentin që trupi i së ndjerës është nxjerrë nga urgjenca kirurgjikale e QSUT për të hipur në autoambulancë dhe dërguar në morg, shoferi i saj ishte larguar për momentin. Në fakt, ai është vonuar për vetëm 1 minutë, por kaq ka mjaftuar që familjarët të shfaqin sjellje agresive. Njëri prej të afërmve që shoqëronte barelën me trupin e të ndjerës pasi i bërtiste infermieres “ku e keni shoferin?”, ka kapur me forcë barelën që ndodhej në autoambulancë, ku edhe duhej të vendosej trupi i pajetë i Leonorës, dhe ka tentuar ta shkulë me forcë, duke bërtitur “Shtet mizerje, shiko si e masakruan“.

(ek/im/shqiptarja.com)