Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mëngjesin e kësaj të mërkure, rreth orës 07:35 minuta në Kryeqytet.

Policia ka arrestuar në flagrancë Leonard Kaçanikun, 35 vjeç, banues në Allias, i dyshuar si autor i ngjarjes. Sipas policisë Kaçaniku, i cili punonte si taksist i paliçencuar në rrugën “Sadik Petrela”, ka qëlluar në orën 7:35 të mëngjesit në drejtim të vëllezërve, Klentian Buda, Shaban Buda dhe Ergys Buda, përkatësisht 38, 34 dhe 36 vjeç.
 
Këta të fundit mësohet se janë banorë në rrugën “Sadik Petrela”, ndërsa punojnë si tregtarë mobiljesh të përdorura, pranë Pazarit të Ri. Nga të shtënat, nuk ka mbetur asnjë prej vëllezërve i dëmtuar, ndërsa policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes duke shoqëruar palët në komisariatin nr.4. 
 
Sipas hetimit shkak për ngjarjen është bërë një konflikt i ndodhur mbrëmjen e të martës, mes Kaçanikut dhe një prej vëllezërve, pikërisht Shaban Budës. Kjo pasi Shaban Buda kishte bllokuar rrugën Kaçanikut, ndërsa ai po tentonte të largohej. Kjo ka shkaktuar debat mes tyre dhe ata mësohet se janë konfliktuar.
 
Ndërkaq mëngjesin e kësaj të mërkure, Kaçaniku qëlloi mbi vëllezërit, të cilët shpëtuan mrekullisht nga vrasja.

Veç arrestimit të të dyshuarit, policia tha se kishte sekuestruar në cilësinë e provës materiale armën e krimit, një pistoletë “Zastava” me kalibër 9 mm, një gëzhojë si dhe mjetin në pronësi të të arrestuarit.​