TIRANË- Një 46-vjeçar është arrestuar në gjendje të dehur, pasi i ka ofruar policit 50 euro që të mos bënte testin e alkoolit.

Qytetari po bënte manovra të rrezikshme në rrugë dhe dyshohej se ishte nën efektin e alkoolit, rrugorët u vunë në lëvizje dhe pasi bënë të mundur ndalimin e automjetit në rrugën “Ndre Mjeda”.

A.G. kishte shenja të dukshme të përdorimit të alkoolit dhe gjatë veprimeve për verifikimin me alkoolmatës, ky shtetas i ofroi para që të moskryente testin.

Gjatë testit ai rezultoi se po e drejtonte mjetin në gjendje të dehur, ku rezultati i parë ishte 1.27 mg/l dhe testi i dytë 1.22 mg/l.

Sipas deklaratë së policisë, në këto kushte, u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit, për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, si dhe për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.

Gjatë muajit janar 2020, nga Policia Rrugore e Tiranës janë arrestuar 5 drejtues mjetesh për veprën penale “Korrupsion aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, për të cilën parashikohet dënimi deri në 3 vite burg.