Tiranë, të rinj nga Ballkani Perëndimor mblidhen në 'Shtigje Rinore', ambasadori i OSBE: Ka ende shumë plagë

Tiranë, të rinj nga Ballkani Perëndimor mblidhen në 'Shtigje Rinore', ambasadori i OSBE: Ka ende shumë plagë

Mbi dyzet të rinj nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën sot në Tiranë për të marrë pjesë në aktivitetin “Youth Trail – Shtigje Rinore”, i cili organizohet për të dytin vit radhazi nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, Kryesia Italiane e Radhës e OSBE-së, Zyra Rajonale për Bashkëpunimin Rinor (RYCO) dhe Bashkia e Tiranës. Gjatë katër ditëve, të rinjtë do të bashkëveprojnë, diskutojnë dhe veprojnë për çështje të demokracisë, paqes dhe sigurisë në rajon.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së “Shtigjeve Rinore”, që u zhvillua sot në mbrëmje në Tiranë, Kryetari i Prezencës së OSBE-së, ambasadori Bernd Borchardt, tha se suksesi i këtij aktiviteti në 2017-n ishte arsyeja se pse ai u organizua sërish. “Në këtë rajon ka ende shumë plagë, por pjesëmarrësit e Shtigjeve Rinore vitin e kaluar u larguan duke na thënë se kishin mësuar që kishte më shumë gjëra që i bashkonin se sa që i ndanin."

Duke folur për përvojën e tij, Borchardt tha: “Unë i përkas brezit të pasluftës në Gjermani dhe në fillim të viteve ’70 shkova në Francë. Kisha moshën tuaj dhe ende e mbaj mend pritjen e ngrohtë, më pak se 30 vjet pas Luftës së Dytë Botërore, pra pas një konflikti të tmerrshëm e të stërzgjatur, me një numër të pamasë viktimash dhe mizorish. Kjo më bindi se pse është kaq e rëndësishme që të rinjtë nga vende të ndryshme, me përvoja të ndryshme, të takohen. Dhe ne duam ta bëjmë të mundur këtë”.

Ambasadori italian, Alberto Cutillo, tha se Italia e mbështet këtë nismë, duke qenë e bindur plotësisht për rolin kyç që të rinjtë mund të luajnë, përmes angazhimit personal dhe bashkëpunimit, në ruajtjen e paqes, sigurisë, qeverisjes së mirë dhe demokracisë. “Kjo është akoma më e rëndësishme në Ballkanin Perëndimor, ku, pas ngjarjeve dramatike të së shkuarës, është thelbësore që të ndërtohet një brez i ri i përkushtuar ndaj paqes dhe bashkëpunimit. Dhe hapi i parë është njohja, dialogu, pra, mirëkuptimi,” tha ai.

Sekretari i Përgjithshëm i RYCO-s, Djuro Blanusa, tha: “RYCO beson se të rinjtë e pajisur me parimet e mirëkuptimit, bashkëjetesës, tolerancës dhe respektimit të të drejtave të njeriut janë duke ngritur një të ardhme më të sigurtë për rajonin tonë. Gjithashtu, ne besojmë se të rinjtë duhet të jenë kontribuues aktivë në zhvillimin demokratik, socialo-ekonomik dhe në procesin e integrimit evropian, si pjesë e një rajoni i cili është gjithmonë e më i hapur drejt tyre”.

E pranishme në ceremoninë e hapjes së “Shtigjeve Rinore”, zëvendësministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo, foli për rëndësinë e një dialogu të hapur në rajon, jo vetëm mes qeverive, por edhe mes shoqërive dhe brezave.

Gjatë ditëve në vijim, pjesëmarrësit në Shtigje Rinore do të përfshihen në një sërë aktivitetesh dhe seminaresh për tema nga pjesëmarrja demokratike, barazia gjinore dhe anti-korrupsioni te përballja me të kaluarën, bashkëpunimi rajonal dhe trashëgimia kulturore.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën

Lituania njofton paketën e re të ndihmës ushtarake për Ukrainën