TIRANE- Një 52-vjeçar nga kryeqyteti ka tentuar të hidhet pasditen e sotme nga kati i 5-të i pallatit ku banon, por është ndaluar nga forcat zjarrfikëse. “A1 Report” sjell pamjet ku 52-vjeçari Adrian Fetiu kërcënon se do të hidhet nga kati i 5-të i apartamentit të tij pranë “Shkollës së Baletit”. Për afro 30 minuta Fetiu ka kërcënuar se do të hidhej, teksa shkak për ngjarjen sipas policisë dyshohet të jetë gjendja e rënduar psikologjike e tij.
 
Fillimisht për ngjarjen është njoftuar policia, pasi Adrian Fetiu nuk pranonte t’i hapte derën familjarëve, e më pas kërcënonte nga ballkoni për t’u hedhur.
 
Është dashur ndërhyrja e Shërbimit Zjarrfikës për të ndërhyrë nga tarraca e pallatit e më pas për të neutralizuar situatën.
 
Për “A1 Report” shefi i parandalimeve të rreziqeve në Shërbimin Zjarrfikës, Arjan Ahmetaj deklaron se pas neutralizimit të situatës Fetiu është nën kontrollin e policisë.
 
Në vendngjarje mbërriti dhe Shërbimi i Urgjencës për dhënien e ndihmës mjekësore ndaj Adrian Fetiut, ndërsa blutë e komisariatit numër 1 në Tiranë kanë nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve që çuan Fetiun të ndërmerrte këtë akt.