Stacionet e autobusëve në Tiranë gjatë mëngjesit, ishin me dhjetëra qytetarë që prisnin, pas vendimit të shoqatës së transportit për të ulur me 40% numrin e automjeteve në shërbim
Një vëzhgim i Report TV konstatoi se veçanërisht problematike situata ishte mes orës 07:00 dhe 09:00 kur lëvizjet janë dhe më të larta, me një fluks të shtuar të qytetarëve që qëndrojnë në pritje dhe vonesa të gjata të urbaneve.
Qytetarët shprehen të irrituar, duke thënë se situata është bërë e papërballueshme.
“Jemi kaq të mërzitur, kaq të stresuar nga urbanët. Po shkojmë në punë, tre-katër herë në ditë i përdorim”
“Po si s'na vonon se kemi njerëz të sëmurë. Jemi për hall, s’po dalim për qejf”
“Sot kemi pritur më shumë e ditët e tjera, ka qenë më ndryshe”, shprehen disa qytetarë.
Rreth 250 mijë qytetarë në kryeqytet varen nga transporti publik. Situata për ta nuk duket premtuese. Nga autoritet ende nuk ka një reagim, ndërsa operatorët paralajmërojnë se ky është vetëm fillimi, i një reagimi të detyruar të tyre për shkak të rritjes së ndjeshme të çmimeve të karburanteve
“Do ketë reduktim edhe më të madh në vazhdim. Mund të ketë një pezullim të transportit. Kjo mbetet për t'u parë sepse jemi në kordinim me të gjithë anëtarët e shoqatës. Në qoftë se sot është 40% më pak, nesër ju garantojmë që do jetë 50% më pak, në vazhdim edhe më pak”, thotë Dashnor Memaj, kreu i shoqatës së Transportit urban dhe interurban.
Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban kërkon ndërhyrje urgjente për subvencionimin e naftës.
“Aktualisht sot në pikat e karburanteve është 217 lekë, operatorët e marrin me 207 lekë për shkak të çmimit të shumicës. Para nisjes së krizës ka qenë 145 deri në 150 lekë domethënë është një diferencë 60 apo 70 lekë më shumë. Na u premtua që do të ketë një ndërhyrje në sektor me subvencion apo me politika të tjera për ta shpëtuar sektorin nga kjo rritje e frikshme e çmimit sidomos të karburantit.”, thotë Memaj.
Reduktimi i flotës së urbaneve është parë si një situatë alarmante nga opozita.
“Tirana rrezikon bllokim. Ulja me 40% e flotës së autobusëve do të thotë edhe më shumë makina në terren, më shumë trafik, më shumë ndotje të ajrit që thithim. Qytetarët do ta kenë më të vështirë të arrijnë në vendin e punës çka do të thotë se shërbime rrezikojnë vonesa e deri edhe paralizimin e plotë.”, thotë Dorian Telili, nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Aktualisht vendimi ka prekur linjat urbane, ndërsa operatorët e linjave interurbane paralajmërojnë se nëse situata vazhdon do të detyrohen të reduktojnë edhe oraret e tyre të lëvizjes si dhe të rrisin çmimin biletave.
Më 1 prill, përfaqësues të qeverisë zhvilluan një takim me anëtarët e shoqatës. Këta të fundit thanë se u ishte premtuar riaktivizimi i një skeme mbështetëse të aplikuar gjatë krizës së luftës në Ukrainë. Kjo skemë e vitit 2022, parashikonte kompensim 100 lekë për litër karburanti për linjat urbane dhe ndërqytetase.
Komente







Keta te autobuzave duke bere gangsterrin me qytetaret e shkrete. Te vij nje tjeter shoqate transporti dhe keta qe jane tashme te rrine me autobuzat e tyre.
Përgjigju