TIRANË - Policia ka vënë në pranga një 30-vjeçar pasi transportonte persona nga vendet e treta kundrejt pagesës të cilët ishin futur në vendin tonë në mënyrë ilegale.
Kapja e K.Sh., 30 vjeç, banues në Tiranë u bë pas publikimit të rastit të tij në një emision investigativ. Menjëherë policia organizoi punën dhe bëri të mundur kapjen e tij.
'Në vijim të veprimeve u bë ndalimi i shtetasit K. Sh., 30 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar personave nga vendet e treta, të cilët janë futur ilegalisht në vendin tonë, transportimin nga Tirana në drejtim të veriut të Shqipërisë, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.', thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërkohë që në cilësinë e provës materiale iu sekuestruan 7280 euro, 10 pasaporta të dyshuara të falsifikuara, karta sim, 2 USB, 6 karta krediti, mandate arkëtimi me shuma të ndryshme dhe 2 vula.
Materialet proceduriale i janë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.