Veshja të markave më në zë, çanta "Louis Vuitton" për 40 euro, pantallona "Hugo Boss" me 20 euro, atlete "Easy" për vetëm 30 euro, janë vetëm disa nga produktet që mund të gjenden lehtësisht në rrugët, por dhe dyqanet e Tiranës.

Të ngjashme në pamje me markat luksoze por larg cilësisë dhe çmimit të tyre real.

Në një vëzhgim të Report TV në rrugët e kryeqytetit, dallohet qartë prania masive e produkteve me logo të njohura, por të prodhuara në mënyrë të paligjshme.

Shumë qytetarë pranojnë se kanë pasur vështirësi për të diferencuar produktet origjinale nga ato false, veçanërisht kur çmimi është i përafërt me atë të produktit origjinal. Madje disa janë mashtruar pa e kuptuar.

"Një palë atlete qe supozohet qe te ishin origjinale, por qe nuk ishin. Ishte çmimi 120 euro, por që në treg mund t’i gjeje edhe vetëm me 25 mijë lekë.

"Mua me kanë mashtruar, me Nike, me Burbery me lloj lloj. E kemi dalluar qe nga materiali, nga firma".

"Po ka raste se edhe i dallojmë edhe nuk i dallojmë".

"Nëse janë shumë mjeshtra nuk di t’i dalloj në fakt. Por në gjendje të lirë dallohen", shprehen disa prej qytetarëve

Ndërsa disa të tjerë thonë se janë më të kujdesshëm dhe përpiqen të shohin me imtësi çdo detaj për të mos rënë pre e mashtrimeve.

"Unë i di ato sepse unë kam qenë jashtë edhe e di se kush është origjinale dhe kush jo. Un nuk marrë ashtu. Po më pëlqyen i marrë".

"Besoj se deri diku i njoh. Kanë ato kodet e veta. Njihet origjinalja nga falsja. Dallohet. Ka ndryshime sa të duash. Këtë bluze qe kam veshur është origjinale dhe e kam marrë 95 euro", shprehen disa të tjerë.

Edhe pse ekzistojnë masa ligjore për të frenuar shitjen e produkteve false, tregjet vijojnë të jenë të mbushura me to.