Dy persona janë arrestuar nga policia, ndërsa dy të tjerë u shpallën në kërkim pasi akuzohen se kundrejt shumave të parave transportonin emigrantë të paligjshëm.
Prej kohësh Antitrafiqet e Tiranës kishin nën vëzhgim Besnik Matellarin dhe djalin e tij, Mariglen Matellari, të dy të dyshuar si të përfshirë në një skemë të organizuar të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm.
Pas arrestimit, babë e bir kanë refuzuar të bashkëpunojnë me hetuesit, duke mos dhënë asnjë deklaratë. Megjithatë, detajet e skemës janë zbardhur nga vetë emigrantët, kryesisht shtetas egjiptianë, të cilët kanë rrëfyer mënyrën se si funksiononte rrjeti.
Sipas tyre, shumat e paguara varionin nga 7 deri në 10 mijë euro për person, për transportin nga Egjipti drejt Italisë.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se emigrantët fillimisht kalonin ilegalisht nga Egjipti në Greqi, ku më pas ndihmoheshin nga trafikantë të tjerë për të hyrë në Shqipëri. Pasi mbërrinin në territorin shqiptar, babë e bir merrnin nga Tirana ose nga qytete të jugut të vendit dhe i transportonin drejt Kukësit.
Prej andej, emigrantët kalonin në Kosovë, për të vijuar më pas rrugën drejt Italisë, e cila ishte destinacioni final. Sipas të dhënave, Besnik Matellari rezulton i përfshirë edhe më herët në raste të trafikimit të emigrantëve të paligjshëm.
Njoftimi i policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore ndjekur me metoda proaktive, organizuan dhe finalizuan operacionin “Relay”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve B. M., 56 vjeç dhe M. M., 24 vjeç.
Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Kukës, duke transportuar me 2 automjete, 12 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishin premtuar transportimin nga kufiri grek, me qëllim kalimin e tyre në pikat kufitare, me destinacion final vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve hetimore, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit Sh. K., 40 vjeç, dhe E. S., 22 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Vijon puna për kapjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Komente








