TIRANEMajlinda Dehima është edukatorja që punon në kopshtin privat “Stinët” në zonën e Ali Demit. Në këtë kopsht, dyshohet se një vajze 3-vjeçare iu thye këmba në rrethana ende të paqarta.

Prindërit e fëmijës thonë se u njoftuan për episodin e rëndë nga një telefonatë nga kopshti, rreth orës 15:00 shumë pasi e mitura ishte transportuar në pediatri, më 1 nëntor. Nga kopshti i thanë se vajzën e kishte pickuar diçka dhe këmba i ishte fryrë. Duke parë gjendjen e vajzës, mjekët sugjeruan ta çojnë në spitalin e Traumës, ku nga grafia rezultoi se thyerje në pjesën e kofshës.

Nga disa momente të kamerave të sigurisë së kopshtit, të datës 1 nëntor, prindërit dyshojnë që ngjarja të ketë ndodhur rreth orës 10:00 të mëngjesit, pasi aty është episodi i parë që edukatorja shfaqet e shqetësuar në mesin e fëmijëve në dhomën e vizatimeve.

Vajza 3-vjeçare hyn pas pak në dhomë dhe shihet se e shoqëron sanitarja e kopshtit. Duke parë lëvizjet e vajzës së vogël, kuptohet që ajo ka dhimbje, dhe çfarëdo t’i ketë ndodhur, dyshohet të jetë shënuar para se të hynte në dhomën e vizatimit. Në një moment të videos shihet e vogla teksa ankohet për këmbën dhe edukatorja që e godet me shpulla dhe e tërheq me forcë duke e ulur në karrige.

Rasti është hetuar fillimisht nga komisariati numër 1, që pas veprimeve procedurale e kanë referuar çështjen në Prokurorinë e Tiranës për veprën penale “keqtrajtim të të miturve”.

Edukatorja Majlinda Dehima, në polici ka deklaruar se e ka goditur vajzën 3-vjeçare, me vizore jo për të dëmtuar, por për ta bindur që të marrë pjesë në mësim, teksa ka shtuar se vajza e vogël nuk kishte vëmendjen dhe nuk përfshihej, ndryshe nga fëmijët e tjerë në klasë. Edukatorja ka thënë se e ka kuptuar se vajza kishte dëmtuar këmbën dhe pretendon se mund të ketë qenë dëmtuar tek krevati, pasi ka thënë se aty ka hapësira. Majlinda Dehima gjithashtu është shprehur se ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit privat për rastin.

Pas historisë së dhimbshme dhe të mistershme, Ministria e Arsimit reagoi duke zbuluar një fakt edhe më të rëndë, se kopshti “Stinët” është i pa licencuar, pra e ushtron veprimtarinë e tij në paligjshmëri. Vetëm pas denoncimit të prindërve dhe bërjes së rastit publik, kopshti është mbyllur. 

Ndërkohë disa qytetarë kanë protestuar ditën e sotme para ambientit të kopshtit 'Stinët'. 

Në lidhje me ngjarjen e rëndë, kryepolici Rrumbullaku pezulloi nga detyra zëvendës shefin e komisariatit 1, si dhe shefin e krimeve bashkë me një specialist, pasi nuk kanë këqyrur kamerat e sigurisë të kopshtit ku dyshohet se një fëmijë theu këmbën. Policia thotë se pamjet e 1 nëntorit, u këqyrën vetëm pas transmetimit të rastit në media, më 6 nëntor.

1699363677_finalprojekt.00564017.Still085.jpg

Edukatorja Majlinda Dehima

Ekstrakti i biznesit të pronares së kopshtit 'Stinët', Entela Danushi

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:57
Zbardhet dëshmia e edukatores: E godita të bindej për të marrë pjesë në mësim! Këmbën mund ta ketë dëmtuar te krevati

1699362626_page.jpg

Edukatorja Majlinda Dehima, e cila është nën hetim si e dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Keqtrajtimi i të miturve’, në polici ka deklaruar se e ka goditur vajzën 3-vjeçare, me vizore jo për të dëmtuar, por për ta bindur që të marrë pjesë në mësim, teksa ka shtuar se vajza e vogël nuk kishte vëmendjen dhe nuk përfshihej, ndryshe nga fëmijët e tjerë në klasë.

Mësohet se ajo ka pretenduar se e ka dërguar vajzën për të fjetur gjumë dhe më pas e vogla nuk ka pasur shqetësime. Sipas saj, 3-vjeçarja ka fjetur për rreth 2 orë e gjysmë dhe kur është zgjuar, i ka shprehur shqetësime se ndjente dhimbje.

Edukatorja thotë se e ka kuptuar se vajza kishte dëmtuar këmbën dhe pretendon se mund të ketë qenë dëmtuar tek krevati, pasi ka thënë se aty ka hapësira. Majlinda Dehima gjithashtu është shprehur se ka vënë në dijeni drejtoreshën e kopshtit privat për rastin.

 

Ora 17:37
Dhunimi i 3-vjeçares në kopshtin privat, pezullohet nga detyra zv/shefi i komisariatit nr.1 në Tiranë dhe 2 nënkomisarë

1698825523_policiaetiranes.jpg

Tre punonjës policie janë pezulluar nga detyra pasi një fëmijë 3 vjeçar thyeu këmbën në një kopësht privat në Tiranë.

Konkretisht janë pezulluar nga detyra konkretisht Komisar R. D., me detyrë zv/shef i Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë; Nënkomisar Y. Ç., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1; Nënkomisar E. B., me detyrë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1. 

Sipas policisë efektivët nuk kanë këqyrur pamjet filmike të kamerave të ambienteve të kopshtit. Policia thekson se këqyrja e pamjeve filmike të kopshtit është bërë pas transmetimit të rastit në media.

‘Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, sapo është njohur nëpërmjet pamjeve filmike të transmetuara mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “STOP”, për ngjarjen e ndodhur në një kopsht privat, rast për të cilin familjarët e fëmijës së dëmtuar akuzojnë strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë, se nuk kanë kryer veprimet e duhura ligjore, ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për nisjen e hetimit administrativ, me qëllim verifikimin e procedurave standarde të kryera nga punonjësit e Policisë.  

Nga verifikimet paraprake të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka rezultuar se strukturat hetimore kanë kryer veprime procedurale dhe materialet i kanë referuar në Prokurori për vlerësim brenda afatit që përcakton ligji, por është konstatuar se veprimet nuk janë kryer të plota pasi nuk ishte bërë këqyrja e pamjeve filmike të kamerave që ndodhen në ambientet e kopshtit.

Këqyrja e pamjeve filmike të regjistruara nga kamerat e kopshtit është bërë pas transmetimit të rastit, në emisionin investigativ  “STOP”, dhe materialet shtesë janë dërguar në Prokurori, më datë 06.11.2023. 

Njëkohësisht ka nisur procedimi në gjendje të lirë, pas konsultimit me prokurorin, për shtetasen M. D., me detyrë kujdestare në këtë kopsht, si e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Keqtrajtimi i të miturve”.   

Në përfundim të verifikimeve të kryera nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, ka filluar hetimi disiplinor për shkelje të rëndë disiplinore, parashikuar nga neni 209 i Rregullores së Policisë së Shtetit “Shkelja e rëndë e atributeve/kompetencave të Policisë” dhe u bë pezullimi nga detyra, për punonjësit e Policisë:   

Komisar R. D., me detyrë zv/shef i Komisariatit të Policisë Nr. 1, Tiranë;

Nënkomisar Y. Ç., me detyrë shef i Seksionit për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1; 

Nënkomisar E. B., me detyrë specialist në Seksionin për Hetimin e Krimeve, në Komisariatin e Policisë Nr.1. 

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit falënderon stafin e emisionit investigativ “STOP” për bashkëpunimin dhe për denoncimin e rasteve të paligjshmërisë. Policia e Shtetit fton mediat dhe qytetarët që të denoncojnë rastet e abuzimit të punonjësve të Policisë me detyrën, duke iu garantuar reagim të ashpër ndaj tyre, sepse për Policinë e Shtetit dhe Ministrinë e Brendshme është shumë i rëndësishëm procesi i vetëpastrimit nga radhët e Policisë, i punonjësve që abuzojnë me detyrën dhe me ligjin.’- njofton policia.

Ora 14:07
U mbyll nga ministria e Arsimit për mungesë license, ky është kopshti 'Stinët' ku 3 vjeçarja u dhunua nga edukatorja

 

Report Tv ka siguruar pamjet e kopshtit privat “Stinët” në Tiranë, ku ndodhi ngarja e rëndë e dhunimit të 3 vjeçares nga edukatorja Majlinda Dhima. Më herët në një reagim të bërë, ministria e Arsimit sqaroi se është mbyllur kopshti privat, pasi subjekti ishte pa licencë. 

Ora 13:48
Qëlloi me vizore 3 vjeçaren, shoqërohet në polici edukatorja e kopshtit në Tiranë

1699358660_majlindadehima.jpg

Edukatorja Majlinda Dhima në kopshtin ‘Stinët’ në Tiranë është shoqëruar në polici 6 ditë pas ngjarjes së rëndë të ndodhur ku shfaqej duke dhunuar një 3 vjeçare në kopësht, të cilën e ka goditur edhe me vizore. 

Dhima po hetohet nën akuzën e 'keqtrajtimit të të miturit". 

Ora 13:03
Dhunimi i 3-vjeçares, policia ka marrë kamerat e sigurisë në kopshtin ‘Stinët', në Tiranë

1699354872_stinet.jpg

Detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në një kopsht privat. Mësohet se policia është njoftuar në lidhje me ngjarjen n në orën 21:00 të datës 1 nëntor. Që atë natë kanë nisur veprimet për sqarimin e situatës, janë marrë deklarimet e prindërve të vajzës së mitur, të punonjësve të kopshtit dhe drejtuesve të saj. Burime pranë Komisariatit nr. 1 në Tiranë bëjnë me dije se janë tërhequr të plota të gjitha pamjet e kamerave të kopshtit për të hetuar rastin.

Përgjatë paradites rezulton se vajza 3-vjeçare ka lëvizur pa probleme dhe në dukje të parë nuk shfaq shqetësim të ketë dhimbje nga këmba.

Dyshimet e hetuesve janë se mund të jetë lënduar gjatë kohës që ka qenë në gjumë. E mitura është vendosur për të fjetur në krevat në orën 12:21 minuta të datës 1 nëntor dhe është zgjuar nga gjumi në orën 15:03 minuta. Pasi është zgjuar, në pamjet e kamerave ajo shfaqet e shqetësuar dhe me dhimbje.

Gjatë kohës që ajo ka qenë në krevat, sipas hetuesve, në rrotullim e sipër në gjumë, mund të jetë lënduar në hapësirat e krevatit. Referimi në Prokurorinë e Tiranës është bërë me akuzën “keqtrajtimi i të miturve”, për shkak se edukatorja shfaqet qartë në pamjet e kamerave se e qëllon vajzën me vizore.

Ora 12:53
Mbyllet kopshti privat 'stinët' në Tiranë, prindërit denoncuan se vajza e tyre u dhunua

1699358074_page.jpg

Pas historisë së dhimbshme dhe të mistershme të 3-vjeçares që theu këmbën teksa prindërit e kishin çuar në kopsht, Ministria e Arsimit reagoi duke zbuluar një fakt edhe më të rëndë, se kopshti “Stinët” është i pa licencuar, pra e ushtron veprimtarinë e tij në paligjshmëri. Vetëm pas denoncimit të prindërve dhe bërjes së rastit publik, kopshti është mbyllur.

Njoftimi 

MAS ka ngritur menjëherë Task-Forcën institucionale për verifikimin e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në shërbimet për fëmijët, në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe policinë e shtetit.

Ministria e Arsimit dënon me forcë veprimet e dhunshme ndaj fëmijëve dhe kërkon zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, për të marrë masa të menjëhershme dhe të rreptë ndaj përgjegjësve.

Pas transmetimit të ngjarjes së rëndë në emisionin “Stop” në Tv Klan, Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka kërkuar menjëherë Policisë së Shtetit dhe Policisë Bashkiake marrjen e masave për mbylljen e menjëherëshme të kopshtit “Stinët”, pasi, nga verifikimet e kryera rezulton se kopshti është në paligjshmëri dhe ushtron aktivitetin i pa licensuar si institucion arsimor parauniversitar privat, në zbatim të ligjit nr.10 081, datë 23.2.2009, “Për licencat, autorizimet dhe lejet në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe ligjit nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar.

Ministria e Arsimit dhe Sportit, Policia e Shtetit, Policia Bashkiake, Inspektoriatet, do të ngrenë Task-Forcën për kontrollin e plotë në territor për subjekte që ushtrojnë veprimtarinë në shërbimet parashkollore për fëmijë dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që  institucionet arsimore, publike apo private, të ofrojnë një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur për fëmijët, në zbatim të legjislacionit në fuqi.

Dhuna ndaj fëmijëve është një shkelje e të drejtave themelore të tyre dhe nuk do të tolerohet në asnjë rrethanë. Ministria e Arsimit do të jetë e vendosur në luftën kundër dhunës në ambientet arsimore për të siguruar që fëmijët tanë të rriten në një mjedis të sigurt dhe të mbrojtur.