Data 6 janar, për familjen Poti nga Kukësi por me banim në zonën e Mjull Bathore të Saukut në Tiranë, u kthye në tragjedi. Elmaz Poti, 61 vjeç u aksidentua për vdekje nga një automjet që e drejtonte një 23-vjeçar tashmë i arrestuar. Ai po kalonte përmes autostradës Tiranë-Elbasan për të shkuar në banesën e tij, kur mori goditjen fatale.

“Nuk ishte hera e parë që vëllai kalonte. Ka dy vjet e gjysmë. Po ta shikoni vëllai është kapur aty dhe ka përfunduar rreth 200 metra. Shikoni lulet. Vëllai im është në shtyllë. Mendova se ishte vëllai im brenda”, tregoi vëllai i viktimës, Ismet Pota.

Momenti i ngjarjes u filmua edhe nga kamerat e sigurisë.

Disa ditë pas ngjarjes, familjarë të viktimës dhe disa banorë të zonës mjaft të populluar, kërkojnë që rruga në të dyja anët të izolohet dhe shtyllat e ndriçimit të rrugës të ndizen.

“Më vranë vëllain tek kjo rruga siç e shikoni ju. Këtë rruge e quajmë rrugë vdekje, vrastare. Ky nuk është rasti i parë që janë vrarë. Jo të gjitha kanë makina që mund të arrijnë qëllimin e tyre të nevojave familjare. Dje vranë vëllain tim, por nuk mund të themi që ka mbaruar. Pse vëllai u fut për të kaluar? Nuk mund të them që vëllai im nuk është fajtor, por por të kishte ndriçim dhe rrethim vëllai im nuk do ishte sot në dhe. Për qytetarët nuk është shërbim ky. Qytetarët nga do shkojnë, nga të kalojnë. Unë kam fëmij, por fëmija im shkon në shkollë, do zbrese në rrugë. Ku ka siguri. Janë vrarë dhe kafshë pa u llogaritur. Rrezikohet dhe njeriu. Po të kishte rrethim, nuk futet kafsha, robi. Vëllai e ka shtëpinë përballë nesh. Pinim kafe bashkë. Si gjithmon kalonte. Kalojnë njerëz përditë, e presin rrugën. Unë kam vëllain atje, xhajen. Kjo rrugë na ka pre për së gjalli. Kjo nuk është rrugë. Nëse do ishte rruga me ndriçim, vëllai nuk do kishte vdekur. Atë natë ka qenë errësirë dhe lagështirë. Cdo shofer ka vështirësi. Unë di që vëllai im e kontrollonte shumë mirë rrugën ku kalonte. Unë atë natës ku kam dalë, pash vëllain të shtrirë në asfalt, makina e shkatërruar në total, dhe djali në trotuar me dy duar në kokë. Ne po na vret shteti. Për pakujdesinë e  personave të jetë një gardh. Thure. Ti po ja jep të drejtën të shkoje të vrite.. I kam rënë administratorit tonë disa herë. Doja të diskutoja rreth kësaj çështje, por nuk më ka hapur telefonin”, tha Ismet Pota, vëllai i viktimës.

“Kërkojmë nga shteti që të bëhet rrethimi”, tha një banor tjetër.

"Çdo moment që del në rrugë ke marrë parasysh vdekjen. Pa dal këtu nuk kemi rrugë tejtër. Këtu kanë ndodhur mbi 20 aksidente qëkur është ndërtuar”, u shpreh një tjetër.

Problemi më i madh në këtë zonë, është se përveç mungesës së rrethimit të autostradë, nuk ka as rrugë dytësore, ku banorët e zonës të kenë mundësi të kalojnë. Nëse autoritetet nuk marrin masa, ata paralajmërojnë se do të bllokojmë rrugën.