Një 46-vjeçar në Tiranë është gjetur i vrarë me armë zjarri brenda makinës së tij në rrugën "Mihal Popi."

Autoritetet kanë shkuar menjëherë në vendngjarje ku brenda makinës tip 'Volvo' në zonën e stadiumit "Selman Stermasi" është gjetur Ismet Habili. Dyshohet se atentati është kryer nga një automjet në lëvizje. Plumbi është gjendur në pjesën e gojës dhe prej andej ka dalë në kokë.

Raportohet se nuk janë dëgjuar të shtëna, çka me gjasë vrasja mund të jetë kryer me silenciator. Banorët e zonës kanë dëgjuar vetëm përplasjen e makinës. Ka qenë një qytetar i cili ka njoftuar policinë pasi e ka gjetur automjetin të dëmtuar duke menduar se bëhej fjalë për një aksident.

Në vendngjarje ka mbërritur edhe i biri, i cili mes lotësh thërret "Ku e kam plakun?"

Viktima nuk rezulton me precedent penal. Trupi po dërgohet për ekzaminime të mëtejshme për të shqyrtuar nëse bëhet fjalë për vetëvrasje.

Njoftimi i policisë:

Më datë 20.10.2026, rreth orës 20:20, në Sallën Operative është marrë njoftim për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar brenda automjetit tip “Volvo”, shtetasin I. H., pa shenja jete, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Lajm në përditësim...

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:37
Tiranë/ 46-vjeçari u gjet i vrarë në makinë, thirrjet e dhimbshme të djalit: Ku e kam babën? (VIDEO)

Djali i viktimës Ismet Habili, i cili është gjetur i vrarë me armë zjarri në makinën e tij pranë stadiumit “Selman Stermasi” në Tiranë, pak minuta më parë, ka mbërritur i tronditur në vendngjarje.

Në pamjet e siguruara nga Report Tv, dëgjohen britmat e 18-vjeçarit që kërkon të atin.

“Ku është plaku? Ku është baba im? Ikni! Ku e kam babën? Ku është babi?”, thërret ai duke shtyrë të tjerët që përpiqen ta qetësojnë.