TIRANË - Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur një ditë më parë në zonën e Komunës së Parisit. Autori, Filip Shehu, prej tre muajsh punonte si ndihmës picier në një restorant, ku ishte vartës i Indrit Ismaillarit, i cili u vra me thikë gjatë një konflikti të çastit.
Viktima kishte rreth pesë vite që punonte në të njëjtin vend dhe njihej nga stafi si kryekuzhinier. Sipas hetimeve dhe pamjeve të kamerave të sigurisë, e gjithë ngjarja ka ndodhur brenda më pak se një minute.
Në dëshminë e tij, 43-vjeçari Shehu ka deklaruar se është ndier i fyer dhe i poshtëruar publikisht nga eprori i tij, i cili e kishte ofenduar me fjalë të rënda banale para kolegëve.
"Jam ndjerë i ngacmuar gjatë gjithë kohës dhe nuk duroja më. Kishim debate të vazhdueshme për punën, por ai më ngacmonte shpesh. Viktima më tha mos merr këtë proshutë të hapur që është në frigorifer, por merr proshutë të re. Ai shkoi të merrte proshutën e re dhe aty nisëm të ziheshim. Më shau me fjalë të rënda dhe aty nuk durova", citohet të ketë thënë ai.
Nga këqyrja e pamjeve të sigurisë rezulton se, gjatë debatit, viktima hap frigoriferin për të marrë një kuti proshute, ndërsa në atë moment, pasi dëgjon ofendimet, autori merr një thikë kuzhine dhe e godet tre herë, një herë në qafë dhe dy herë në bark.
Punonjësit e tjerë të restorantit, të marrë në pyetje, kanë deklaruar se Shehu ishte person i mbyllur dhe i ftohtë në komunikim, që rrallë fliste me të tjerët. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se ai jetonte vetëm, pasi prej disa kohësh ishte larguar nga familja.
Ndërkohë Policia e Tiranës ka bërë me dije se ka gjetur dhe sekuestruar thikën që picieri vrau kuzhinierin. 41-vjeçari i arrestuar rezulton se ishte i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Njoftimi i plotë
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në Komunën e Parisit, ku shtetasi F. Sh. dyshohet se vrau me mjet prerës (thikë), shtetasin I. I., 36 vjeç, gjatë një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e lokalit ku punonin të dy, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit e Policisë Nr. 2 dhe me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kryen arrestimin në flagrancë të shtetasit F. Sh., 41 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Gjithashtu, gjetën dhe sekuestruan me cilësinë e provës materiale, mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se shtetasi F. Sh. kreu vrasjen.
Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se autori i dyshuar i vrasjes, shtetasi F. Sh., i cili u kap menjëherë pas krimit, ishte i dënuar më parë, për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.
Komente










