Tiranë, vritet pranë banesës
ish-zyrtari i lartë i policisë Cuku
SKEDA/Kush është kryepolici i vrarë 

Tiranë, vritet pranë banesës<br />ish-zyrtari i lartë i policisë Cuku<br />SKEDA/Kush është kryepolici i vrarë 
Artan Cuku, 42-vjeç, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, është ekzekutuar me armë zjarri mbrëmjen së shtunës në rrugën e "Kosovarëve", në Tiranë.

Ai ka mbetur i vdekur në vend, pasi është qëlluar nga një distancë e afërt.

Cuku ka qenë pranë banesës së tij, në hyrje të pallatit, kur sapo u nda nga gruaja dhe dy fëmijët u qëllua nga dy persona të armatosur. 

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:00, në një zonë mjaft të populluar të kryeqytetit, rrugës nga Komuna e Parisit në drejtim të Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. 

Forca të shumta policie mbërritën në vendin e ngjarjes, ndërkohë që vijojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. 

Sipas dëshmitarëve, personat që kanë kryer atentatin dyshohet të jenë janë larguar me një motor në drejtim të Saukut. 

artan cuku
(Artan Cuku, ish-drejtor i Policisë së Vlorës)



Arma me të cilën është kryer vrasja, është e tipit pistoletë, nga e cila është qëlluar katër herë në drejtim të ish-zyrtarit të policisë.

Policia thotë se po heton disa pista, jo vetëm angazhimin në polici të Cukut, por edhe punët e tij private, pasi së fundi ai ishte angazhuar në një biznes privat "Security", në ruajtjen e sigurisë së objekteve, “INTERNATIONAL SECURITY ALBANIA”.

Artan Cuku, 42-vjeç, me origjinë nga Lezha, ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.

Ai ka shërbyer për 16-vite në funksione të larta në Policinë e Shtetit, ndërsa mbante gradën "Drejtues i Lartë". 



Cuku u qëllua me 5 plumba, atentati pranë banesës
Artan Cuku, ish-drejtues i Lartë në Policinë e Shtetit, është qëlluar me 5 plumba, të cilët kanë rezultuar fatal për jetën e tij. 

​Atentati ka ndodhur fare pranë banesës së tij në rrugën e "Kosovarëve" në kryeqytet. Dy persona e kanë pritur te shesh-pushimi i pallatit. Ata kanë pritur për disa momente, derisa Cuku është drejtuar për në banesën e tij. 

Në këtë moment një prej autorëve qëllon katër herë në drejtim të Cukut, duke e lënë të vdekur në vend. Pas krimit, dy autorët largohen me shpejtësi me një motor në drejtim të Saukut.



Cuku, ish-drejtues i lartë në Policinë e Shtetit
Artan Cuku u shkarkua nga funksionet në Policinë e Shtetit në vitin 2014. Ai mbajti për një vit detyrën e Drejtorit të Policisë Vlorës (2013-2013). Ndërsa nga viti 2009 deri në 2011 mbajti detyrën e zv/drejtorit të Policisë së Tiranës.

Ai ka qenë prej 16 vitesh në polici ku ka shërbyer si Shef Krimesh edhe në Tiranë, Shkodër dhe Fier.

Cuku kishte marrë gradën madhore “Drejtues i Parë”, por në 2014 u shkarkua nga policia me firmën e Artan Didit.

Që prej kësaj dite Cuku nuk ka mundur të rikthehet në polici megjithëse kishte fituar në gjykatë të drejtën e rikthimit në punë.

Gjatë kohës së qëndrimit i papunë Cuku është marrë me aktivitet privat, pasi kishte hapur kompaninë e sigurimit “INTERNATIONAL SECURITY ALBANIA”

Pas lirimit, Cuku ka punuar edhe si pedagog pranë Akademisë së Rendit.  

Dyshohet se atentati ndaj Cukut ka ndodhur për shkak të detyrës që mbante në Policinë e Shtetit. 

Në 2005-ën, një person vrau veten në zyrën e Cukut
Në vitin 2005, Artan Cuku, mbante detyrën e Shefit të Krimeve në Tiranë, kur edhe u shënua një ngjarje e rëndë në zyrën e tij.
 
Ngjarja u regjistrua gjatë kohës që Cuku ka qenë duke marrë në pyetje Artan Dakën, atëherë 25-vjeç, i kapur në Vorë, pasi ishte arratisur nga Policia e Shkodrës.
 
I arrestuari ishte vëllai i një personi të shpallur në kërkim për disa krime.
 
Gjatë kohës që Cuku po merrte në pyetje të riun, ky i fundit i ka marrë armën nga brezi duke qëlluar veten.
 
Familjarët e të riut akuzuan Shefin e Krimeve se kishte ushtruar dhunë fizike ndaj Dakës dhe ndaj ai i ka marrë armën nga brezi dhe ka qëlluar mbi veten. 

Tre pista hetimore
Vrasja e ish-nëndrejtorit të Policisë së Tiranës Artan Cukut, ka sjellë mobilizimin e të gjithave strukturave hetimore të kësaj policie, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorëve të krimit.

Hetimet janë drejtuar në tre pista ku e para bën fjalë se krimi mund të ketë ndodhur për shkak të detyrës së tij si polic dhe e dyta bën fjalë për shkak të konkurencës, pasi Artan Cuku kohët e fundit menaxhonte një kompani private sigurimi.

Ndërkohë pista e tretë sipas grupit të hetimit është ajo hakmarjes pasi ka dyshime të forta se ekzekutimi i ish-drejtuesit të Lartë të Policisë, lidhur me një ngjarje të vitit 2005, kur në zyrën e tij është vetëvrarë 25-vjeçari Artan Daka. Në atë kohë Artan Cuku ka qënë me detyrën e shefit të krimeve në komisariatin nr. 4 në Tiranë, kur kishte shoqëruar shtetasin Artan Daka, ky i fundit vllai i një personi të kërkuar nga policia.

Gjatë intervistimit të tij, Cuku ka pretenduar se Daka i ka marrë pistoletën e shërbimit dhe me të ka qëlluar veten duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

Këtë version Cuku ka treguar në polici, dhe është marrë i mirqënë. Ndërkohë që edhe familjarët e viktimës kanë dhënë besën që nuk do hakmeren. Mirëpo pas 12 vitesh, duke se kjo ngjarje mund të jetë riaktivizuar, çka mund ti ketë shtyra ata të hakmeren.

Cuku u vra pasi përcolli gruan, 4 plumba në gjoks, një në kokë
Vritet poshtë pallatit të tij ish-drejtuesi i Policisë së Vlorës Artan Cuku. Ish-zyrtari i lartë i policisë së Shtetit, ka përcjellë familjen e tij, gruan dhe dy fëmijët për në banesë, ndërkohë që vetë ka qëndruar për disa minuta në një supermarket për të blerë diçka.
 
Teksa ka dalë nga supermarketi ai është përballur me dy persona në hyrje të pallatit, të cilët e kanë qëlluar nga afër me 5 plumba. 4 nga plumbat Artan Cuku i ka marrë në gjoks ndërsa një ai e ka marrë në kokë, duke gjetur vdekjen e menjëhershme.

[gallery]21746[/gallery]

Zhvillimet minutë pas minute 

Ora 22: 40 Policët në Lirim: E goditi dora burracake e krimit
Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim dënon vrasjen e ish-kryepolicit, Artan Cuku. 

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, ish-kolegët e Artan Cukut kanë bërë një mesazh ngushëllimi për familjen e tij, ndërsa kërkojnë që të zbardhet ngjarja e rëndë.

Mesazhi i Shoqatës së Punonjësve të Policisë në Lirim:
"Me dhimbje të thellë mësuam se kolegu ynë Artan Cuku, nuk është më midis nesh. Dora burracake e krimit i mori jetën babait të devotshëm, bashkëshortit të përkushtuar dhe një oficeri model të Policisë së Shtetit.

Artan Cuku, ka shërbyer për më shumë se 15 vite në Policinë e Shtetit, ku edhe ka mbajtur detyra shumë të rëndësishme si zv.drejtor i Drejtorisë së Qarkut Fier, zv.drejtor i Qarkut Tiranë dhe para largimit nga radhët e organizatës ishte drejtori i Policisë së Qarkut Vlorë.

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim – 2013 kërkon nga autoritetet ligjzbatuese të marrin të gjitha masat për zbardhjen sa më parë të kësaj ngjarje, që sipas të gjitha gjasave lidhet me detyrat e larta që kolegu Cuku ka patur deri në vitin 2013, në Policinë e Shtetit dhe luftën pa kompromis qe ai ka kryer ndaj krimit dhe elementëve kriminale.

Kjo ngjarje e dhimbshme dhe po aq e rëndë, është tregues i situatës dramatike në të cilën ndodhet rendi dhe siguria në vend, një gjendje që flet për një shtet të kapitulluar para krimit.

Paralelisht, ajo është një tjetër provë e shpërfilljes totale nga kjo qeveri, Ministria e Punëve të Brendshme dhe drejtuesve aktualë të Policisë, për ish-punonjësit e policisë, të cilët janë liruar nga detyra për motive cinike e të paligjshme dhe tashmë ndodhen të ekspozuar, pa asnjë mbrojtje ndaj elementëve kriminalë, të bërë palë me këtë pushtet të kalbur e të korruptuar deri në palcë.

Shoqata e Punonjësve të Policisë në Lirim-2013 e përcjell me pikëllimin me te thellë këtë ngjarje dhe gjendet pranë familjes e të afërmve të oficerit, kolegut e mikut Artan Cuku"
.

Ora 22:00 Trupi i pajetë i Cukut dërgohet në morgun e Tiranës



Ora 21:30 Ervin Hodaj: Do hetojmë të gjitha pistat
Drejtori i Policisë së Tiranës, Ervin Hodaj, ka mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes ku u ekzekutua ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Artna Cuku.
 
Hodaj tha se ngjarja është mjaft e rëndë dhe për zbardhjen e saj Policia do të angazhohet maksimalisht.
 
Ai tha gjithashtu se plumbat e marrë në trup kanë qenë fatal për Cukun, i cili la pas gruan dhe dy fëmijët.  
 
"Në lidhje me ngjarjen në sallën operative rreth orës 20:00 ka ardhur një telefonatë për të shtëna me armë zjarri. Kanë shkuar menjëherë shërbimet në vendin e ngjarjes ku kanë kosntatuar vrasjen e ish-punonjësit të Policisë Artan Cuku rreth 40 vjeç.

Te shtenat kane qene fatale per jeten, nuk ka pasur mundesi per transport ne spital. Është krijuar menjehere grupi hetimor”,
tha Drejtori i policisë së Tiranës Ervin Hodaj ne vendin e ngjarjes.

Sipas tij, “jane dhene te dhena mbi autoret e mundshem". "Aktualisht eshte ngritur grupi hetimor si nga Drejtoria e Policise se Shtetit, dhe nga Policia e Tiranes, me ekspertet me te mire. Angazhimi jone eshte maksimal per zbardhjen e ngjarjes", tha më tej Hodaj.  

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Historike/ Egnatia mposht 2-0 Kukësin dhe fiton Superkupën e Shqipërisë, rrogozhinasit bëjnë ‘tripletë’ trofesh! Largohet Çela

Historike/ Egnatia mposht 2-0 Kukësin dhe fiton Superkupën e Shqipërisë, rrogozhinasit bëjnë ‘tripletë’ trofesh! Largohet Çela