Avokati kryesor i Donald Trump, që kishte në dorë mbrojtjen e presidentit përballë hetimit të prokurorit special mbi pretendimin për ndërhyrjen ruse në zgjedhje, ka dhënë dorëheqjen.
Ty Cobb do të tërhiqet në fund të muajit dhe pritet të zëvendësohet nga Emmet Flood, një veteran që përfaqësoi Bill Clintonin në kohën kur ky i fundit doli përpara gjyqit.
Cobb i tha “New York Times”-it këtë të mërkurë se kishte informuar Trumpin për vendimin e tij disa javë më parë. “Ka qenë një nder për mua t’i shërbeja vendit tim në këto nivele, si në Shtëpinë e Bardhë”, citohet të ketë thënë ai. “I uroj gjithë të mirat kujtdo në këtë detyrë”.
Cobb ishte njeriu kyç që është marrë me hetimin e prokurorit special Robert Mueller për hetimin e Rusisë. Në një incident të paharrueshëm të shtatorit të vitit të kaluar, avokati u përgjua pa dashje nga një reporter mbi këtë çështje teksa fliste me John Dowd, një tjetër pjesëtar i ekipit ligjor, në një restorant pranë Shtëpisë së Bardhë.
Dowd dha dorëheqjen në mars, disa ditë pasi Trump kishte këmbëngulur në “Twitter”, duke thënë se “ishte tepër i lumtur me avokatët e tij, John Dowd, Ty Cobb dhe Jay Sekulow”. Sipas tij, ata po bënin një punë të mirë, por prej tyre, vetëm Sekulow duket se po i mbijeton stuhisë së ekipit ligjor.
Raportimet në media të ndryshme sugjerojnë se Trump është zhgënjyer me qasjen këshilluese të Cobb dhe po kërkonte për avokatë të tjerë më luftarakë, model i ish-mentorit të tij, Roy Cohn. I rekrutuari më i fundit i tij në ekipin ligjor është Rudy Giuliani, e pas tij pritet të jetë edhe Flood, që përfaqësoi gjithashtu edhe ish-zv.presidentin Dick Cheney në çështje private.
Tërheqja e Cobb vjen në një kohë kur ekipi personal ligjor i presidentit po negocion kushtet e një intervistimi të mundshëm të Trumpit nga prokurorët federalë, e pikërisht një ditë pasi Dowd zbuloi se ekipi i Muellerit kishte menduar lëshimin e një fletëthirrjeje për Trumpin që në muajin mars.
“New York Times” publikoi këtë javë një dokument që rrodhi nga zyrtarë të lartë me 49 pyetje, që besohet se prokurori special pritet t’ia bëjë presidentit për të marrë përgjigje.